Manovra të dyshimta me makinë/Si u arrestua në Durrës, i forti me BMW të blinduar që i shpëtoi tre atentateve

Policia e Durrësit ka arrestuar 44-vjeçarin Elvis Gaçaj, si dhe një tjetër person me inicialet K. D. Sipas policisë së Durrësit, këta persona janë arrestuar në operacionin e koduar “Taulantia”, ndërsa të dy i cilëson si rrezikshmëri të lartë shoqërore.

“Në vijim të planit për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga Strukturat Policore se dy shtetas lëviznin me një automjet me armë zjarri me vete kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Taulantia”. Shërbimet e Policisë në rrugën “Taulantia” kanë bërë të mundur identifikimin e mjetit që lëviznin personat e dyshuar, automjet i cili kryente manovra të dyshimta në rrugë. Duke marrë parasysh informacionin e marrë se në këtë mjet mund të kishte persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, Policia ka ngritur një perimetër të gjerë rrethimi për kapjen e tyre”, njofton policia.

Elvis Gaçaj, i forti me BMW seria 7 të blinduar me targa ruse, i ka shpëtuar 3 atentateve.


Elvis Gaçaj, në 2015 ka qenë objektiv i një atentati tek “Lulishte 1 Maji” në Tiranë, ku mbetën të vrarë gabimisht dy persona, ndërsa ai u plagos.  Ai akuzohet edhe për parcelat e hashashit në zonën e Shëngjergjit, si personi që i disponon dhe financon parcelat me lëndë narkotike.

Në atentatin tek Lulishte “1 Maji”  u vranë gabimisht Aurora Oskian dhe Kevin Rugova.

Nga atentati shpëtoi shoqja e Aurorës, Eda Gjura. Për këtë atentat, në muajin tetor të vitit 2016, togat e zeza të kryeqytetit dënuan me burg përjetë Sael Sulajn dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 35 vite burg. Ndërsa bashkëpunëtori i tij, Vasiel Çavo u dënua me 30 vite burgim dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 20 vite burg. Sipas autorëve, shkaku i konfliktit mes tyre ishte sepse disa muaj para ngjarjes, i arrestuari në aksionin e sotëm, Elvi Gaçaj, u kishte propozuar që të punonin për të për të shpërndarë drogë, hashash, në zonën e Tiranës së Re dhe kompleksin sportiv “Dinamo”.

Brenda viteve 2013-2015 Gaçaj iu kishte shpëtuar edhe dy atentateve të tjera, ndërkohë që sulmet e mëparshme për ta eliminuar ishin kryer me eksploziv.

Ne atentatin e parë u plagos lehtë nga shpërthimi i një sasie tritoli në makinë. Atentati i dytë mbeti në tentativë, pasi lënda plasëse nuk shpërtheu. Gaçaj akuzohet se ka kryer një vrasje në vitin 1992 dhe një plagosje në vitin 2008.

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.