Fati i Shqipërisë në dorë të Macron, Holanda në pritje të Francës

Qeveria holandeze nuk ka ende një votë të qartë për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Edhe pas diskutimeve në parlament, momentalisht në fuqi mbetet mocioni i qershorit kundër hapjes së negociatave, por ambasada bëri sot të ditur se asgjë nuk është kategorike.

Edhe pse në parim është ende jo, Holanda la mbrëmë një shteg hapur për të votuar si Gjermania për çeljen me kushte të negociatave me Shqipërinë, por vendimin final pritet ta marrë pasi të shohë votën e Francës më 15 tetor në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të unionit.



Një ”Po” franceze do ta kthente qeverinë holandeze në Parlament për të unifikuar qëndrimin me dy shtetet kryesore të unionit në votën e krerëve të shteteve të unionit më 18 tetor. Siç duket, fati I Shqipërisë është në dorë të Macron.

Qëndrimi i Holandës

–  Vendet kandidate duhet të përmbushin kushtet strikte përpara se të bëjnë një hap tjetër në procesin e integrimit.

–  Holanda ndjek në mënyrë kritike progresin në të dyja vendet dhe është e mendimit se Këshilli duhet të vlerësojë secilin vend sipas meritave.

–  Në Qershor 2018, Këshilli parashtroi një sërë kriteresh për t’u përmbushur nga Maqedonia e Veriut para hapjes së negociatave. Progresi i bërë është inkurajues. Gjithashtu marrëveshja e Prespës është një shembull për rajonin. Vazhdimësia e rasteve të ndërmarra nga Prokuroria Speciale është siguruar me dorëzimin tek Prokurori i Përgjithshëm. Një hap i rëndësishëm që ende duhet të ndërmerret është miratimi i ligjit që garanton prokurorinë e pavarur në rastet e ardhshme të korrupsionit në nivelet e larta.

–  Këshilli ka parashtruar një sërë kriteresh për t’u përmbushur nga Shqipëria përpara hapjes se negociatave. Holanda e mirëpret punën e madhe dhe hapat e ndërmarra në vitin e fundit. Holanda mendon se më shumë punë duhet bërë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.