Drejtorë që ikin e vijnë, mafia e pronave bën kërdinë

Tre drejtorë në pak ditë kanë dhënë dorëheqjen nga Kadastra e Vlorës. Lajmi bëri bujë dje në të gjitha mediat, por paraditen e sotme është kërkuar një “hetim” për të zbardhur arsyet se përse të emëruarit, që e pranojnë me mjaft dëshirë këtë post dorëzohen.

I pari që dha dorëheqjen në 9 shtator ishte Florian Almadhi, i cili u zëvendësua nga Alteo Nazeraj. Ky i fundit nuk qëndroi as 10 ditë në detyrë dhe deklaroi gjithashtu dorëheqjen. Në vend të tij u emërua Elona Hodaj, e cila bëri të njëjtin akt këtë të martën.

Të gjithë largohen nga drejtimi i Kadastrës me pretekstin e problemeve personale apo shëndetësore, por ngërçi qëndron në zbatimin e një vendimi të Gjykatës së Lartë. Mafia e pronave kërcënon drejtorët të mos e zbatojnë këtë vendim, që ndalon çdo veprim për shitjen ose blerjen e një prone në bregdet dhe ata nuk gjejnë rrugë tjetër, veçse të firmosin dorëheqjen.

Vetëlargimet në seri vijojnë ta mbajnë në kolaps situatën në Kadastrën e Vlorës, ku brenda një muaji janë ndryshuar disa drejtorë, nëndrejtorë dhe juristë, fakt që tregon se ky institucion vazhdon të mos funksionojë.

Regjistrimi i kësaj prone në bregdet duket se mban peng ecurinë e të gjithë punës së këtij institucioni. Me një vendim të Gjykatës së Lartë, prona në fjalë duhet të bllokohet e të mos vijojnë procedurat e shitjes apo blerjes, ndërsa më herët Gjykata e Apelit të Vlorës kishte vendosur vijimin e këtyre procedurave.

Për rastin e fundit të dorëheqjes, drejtoresha tashmë e dorëhequr, Elona Hodaj, dhe nëndrejtori, Taulant Canameti, kanë pasur përplasje mes tyre pasi kanë dhënë dy vendime të kundërta mbi pronën. Canameti, sipas burimeve, firmosi bllokimin për pronën në bregdet duke zbatuar vendimin e Gjykatës së Lartë, ndërsa Elona Hodaj e anuloi firmën e Canametit me argumentin se nuk e kishte autorizuar.

Kaosi në drejtimin dhe funksionimin e Kadastrës mund të vërehet edhe nga jashtë godinës, rreth së cilës shpesh vihen re efektive civilë të Policisë, që besohet se qëndrojnë aty për sigurinë e institucionit.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.