Kthesë e papritur në Kosovë, LDK dhe PDK kërkojnë rinumërimin e votave

Në kohën kur numërimi i votave ka tejkaluar shifrën prej 99 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate po kërkojnë rinumërimin e të gjitha votave, në nivel vendi. Kështu thotë Radio Evropa e Lirë, e cila u referohet deklaratave të liderëve.

Në bazë të rezultatit aktual, pas numërimit të mbi 99 për qind të të gjitha votave, Lëvizja “Vetëvendosje” është e para me 25.51 për qind, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.82 për qind pastaj Partia Demokratike e Kosovës me 21,21 për qind, koalicioni AAK-PSD me 11.58 për qind dhe Lista Serbe me 6.62 për qind.

Por, duke pretenduar se ka disa probleme teknike, PDK dhe LDK po kërkojnë kthimin e procesit të numërimit në pikën zero. Ilir Gashi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se rinumërimi i votave duhet të ndodhë për faktin se formularët dhe disa vota të partive nuk janë shkruar në formularët përkatës.

“Realisht ne kemi kërkuar të numërohen votat e PDK-së, sepse votat tona në të gjithë formularët e vendvotimeve janë kaluar te një parti tjetër”, tha Gashi. Ai shtoi se për shkak të këtij gabimi nuk mund të shkruhet saktë rezultati përfundimtar.

Edhe zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se kanë kërkuar rinumërimin komplet të votave, pasi dyshohet në gabime të ndryshe. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se për të qenë në rregull në aspektin juridik, rinumërimi i votave është i domosdoshëm.

 

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.