Interi “bllokon” Spallettin, Milani kontakton një tjetër ish zikaltër

Deri pasditen e djeshme dukej e sigurt që stoli i Milanit do t’i besohej ish trajnerit të Interit, Luciano Spalletti, por gjatë orëve të mbrëmjes ngjarjet kanë marrë një kthesë dhe tani favorit ka kaluar një tjetër ish trajner zikaltër, Stefano Pioli.

Kjo pasi Spalletti është nën kontratë me Interin deri në verën e vitit 2021 dhe ka kërkuar zgjidhje konsensuale duke marrë vetëm një vit të pagës, gjë që është hedhur poshtë nga drejtuesit e klubit zikaltër, që kanë qenë të prerë në qëndrimin e tyre, duke i kërkuar ish trajnerit që të japë dorëheqjen, nëse do t’i bashkohet Milanit.

Aktualisht situata mes palëve është e tensionuar dhe duket se as Spalletti nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë, por Milani nxiton për të emëruar një trajner tjetër dhe ka kontaktuar menjëherë Piolin, i cili pritet që të takohet në Milano sot me Maldinin e Boban, për të diskutuar detajet.


Nëse palët do të gjejnë gjuhën e përbashkët, atëherë zyrtarizimi i Piolit mund të vijë që në orët e pasdites së sotme, me teknikun që pritet të nisë nga puna menjëherë, për të shfrytëzuar ndërprerjen e kampionatit dhe për të transmetuar idetë e tij te futbollistët.

Por në rast se edhe me Piolin nuk do të ketë “tym të bardhë”, atëherë kuqezinjtë nuk do të gjenden të papërgatitur, pasi Zvonimir Boban ka marrë kontaktet e para edhe me ish trajnerin e Valencias, Marcelino, i cili aktualisht është i papunë dhe do të mirëpriste një ofertë nga Milano.

Megjithatë me Giampaolon thuajse të shkarkuar, brenda dy ditëve pritet që situata në klubin kuqezi të marrë zgjidhje dhe në pankinë të ulet një trajner që do të synojë ngritjen e klubit lart në renditje dhe pse jo të tentojë një vend në zonën Champions.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.