Pacolli në jaht me bosin e krimit, për të ndryshuar historinë politike të Kosovës

Nga GAZETA SHQIP

Një foto e zbuluar rishtazi tregon një biznesmen dhe politikan kosovar që takohet me një figurë të dyshuar të krimit të organizuar. Pak më vonë, papritur iu bashkua partisë më të madhe serbe të Kosovës në një koalicion qeverisës, duke siguruar postin e ministrit të jashtëm.

Verën e vitit 2017, një takim sekret u zhvillua në jaht luksoz të ankoruar në qytetin bregdetar malazez të Budva-s. Një fotografi e siguruar nga organizata joqeveritare serbe për raportimin e korrupsionit KRIK, tregon tre burra dhe dy gra të ulur në sofa me lëkure të bardha, duke shijuar një vakt e duke biseduar (Koha dhe vendndodhja e takimit bazohen në fjalën e burimit anonim që dha foton) Nuk dihet kush janë gratë. Por burrat sakaq janë identifikuar dhe janë disa njerëz që zor të bëheshin bashkë për darkë.


Burri i veshur me një këmishë të bardhë në mes të fotografisë është Behgjet Pacolli, një biznesmen i pasur shqiptar kosovar që drejtoi një lëvizje politike, e cila ndihmoi të sigurohej pavarësia e Kosovës nga Serbia. Ai shërbeu për pak kohë si president i vendit dhe aktualisht është ministri i saj i jashtëm. Në krah të tij, janë dy figura që I takojnë anës tjetër të ndarjes etnike të Kosovës.

Njëri është Goran Rakic, i cili në kohën e shkrepjes së kësaj fotoje, ishte zgjedhur president i Listës Serbe, partia më e madhe serbe e vendit. Tjetri ishte Milan Radoičić, i konsideruar figurë e fuqishme e krimit të organizuar, që thuhej se kishte ndikim të madh në këtë parti. Ishte një kohë e tensionuar. Sapo ishin mbajtur zgjedhjet parlamentare, por asnjë parti nuk fitoi shumicën, dhe negociatat për të formuar një qeveri ishin në udhë e sipër.

Personi që i dha KRIK-un foton e jahteve, tha se kishte fiksuar me aparatin e tij një takim që u dëshmua kyç në zgjidhjen eventuale të ngërçit. Ky pretendim ishte i pamundur të konfirmohej, pasi askush nga pjesëmarrësit nuk pranoi të bisedonte me gazetarët.

Por, ndërsa po afronte afati menjëherë pas takimit në jaht, sipas burimit të fotos, Pacolli bëri një kthesë të papritur politike. Duke prapa lënë aleatët e tij të moderuar, ai e bëri partinë e tij që të bashkohej me Koalicionin PAN, një grup i njohur si “krahu i luftës” sepse përfshinte parti shqiptare të kryesuara nga ish-komandantët e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës (UCK).

Kjo i dha liderit të saj, Ramush Haradinaj, votat për të formuar qeverinë. Haradinaj, një komandant famëkeq i UÇK-së, ndaj të cilit u rrëzuan akuzat e për krime lufte në Gjykatën Penale Ndërkombëtare u bë kryeministër. Pacolli u bë ministër i jashtëm. Për shkak se Lista Serbe ishte gjithashtu në bord, ajo gjithashtu mori disa poste në kabinetin qeveritar.

“Haradinaj nuk kishte vota të mjaftueshme as me Listën Serbe, kështu që partia e Pacollit erdhi dhe shpëtoi situatën”, tha Agron Demi, një analist politik në GAP, një think-tank në Prishtinë. “Lëvizja e tij ishte e papritur sepse gjatë fushatës zgjedhore ai akuzoi anëtarët e koalicionit për kërcënime.” Nuk dihet nëse takimi në jaht ishte instrumental në kthesën e papritur të Pacollit. Por ia vlen të përmendet se Radoiçic, I parë si kriminel e I njohur edhe si  “zoti i Veriut të Kosovës”, kishte qenë i pranishëm aty.

Sipas Rada Trajković, një analistë vendase dhe ish deputete e Kosovës, Radoicic është vendimmarrës kryesor, në mos zyrtar, brenda Listës Serbe. “Kreu i partisë, Rakic, nuk është ai që merr vendime. Fijet në listën serbe i tërheq Radoičić, “tha Trajković, që tani drejton një OJQ të quajtur Lëvizja Evropiane e Serbëve nga Kosova.

Një Lobist për Pavarësinë

Pacolli, një shtetas 68-vjeçar zviceran i lindur në Kosovë, është figurë e njohur si në vendlindje, por edhe jashtë saj. Ai shpesh përshkruhet si njeriu më i pasur i Kosovës, me mediat që e llogarisin vlerën e tij neto në 900 milion euro. Para se të hynte në politikë në vitin 2006, ai kishte bërë tashmë emër si manat ndërtimi dhe si një nga lobistët më të spikatur për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Në fundin e viteve ‘90, Pacolli u përfshi në një skandal madhor korrupsioni në Rusi pasi kompania e tij zvicerane e ndërtimit, Mabetex, fitoi kontrata fitimprurëse për të rinovuar Kremlin. Dy vjet më vonë, prokurorët hapën një hetim ndaj Pacollit, nën dyshimin se I kishte dhënë ryshfet zyrtarë të lartë rusë. Në disa raporte, presidenti i atëhershëm Boris Yeltsin dhe dy vajzat e tij përmendeshin si mitmarrësit. Por problemet ruse të Pacollit nuk do të zgjasnin shumë. Prokurori i Përgjithshëm që drejtoi hetimin kundër tij, Yuri Skuratov, shpejt u pushua nga puna pasi dolën në publik pamjet kompromentuese të tij, që supozohej se e tregonin duke kryer marrëdhënie me dy prostituta.

Vladimir Putin, asokohe drejtor I FSB, shërbimit sekret të vendit deklaroi se burri në video ishte me të vërtetë Skuratov. Çështja iu besua një prokurori tjetër, i cili e mbylli për mungesë provash. Një hetim për ryshfet dhe pastrim parash në lidhje me të njëjtin rast u ndërpre edhe në Zvicër. Në atë kohë, Pacolli ishte sakaq një lobist i rëndësishëm për pavarësinë e Kosovës, e për këtë qëllim kishte krijuar një organizatë të quajtur Aleanca e Re e Kosovës e cila më vonë evoluoi në një parti politike relativisht të moderuar.

Përpara verës 2017, Pacolli dhe partia e tij kishin qenë pjesë e një koalicioni të udhëhequr nga një kryeministër i mëparshëm, Isa Mustafa. Pacolli kundërshtoi çdo bashkëpunim të mundshëm me koalicionin PAN (“krahu i luftës”), duke e përshkruar një gjë të tillë si “pothuajse të pamundur”.

Por ai duket se ndryshoi mendim diku pas takimit me Rakić, liderin zyrtar të Listës Serbe dhe Radoičić. Edhe vetë Lista Serbe, e cila ishte pjesë e qeverisë së mëparshme, po kështu nuk pritej të bashkohej me koalicionin PAN, pasi kreu  i saj Haradinaj, shihet nga shumë serbë si një kriminel famëkeq për veprimet e tij gjatë luftës së pavarësisë së Kosovës.  Në fund, u bashkuan si Pacolli, edhe serbët.

“Interesi i Kosovës, interesi kombëtar është mbi interesin e partisë”, tha ai atëherë, duke shpjeguar kështu arsyen që e bëri të ndryshonte mendje. “Unë u konsultova me miqtë e mi ndërkombëtarë, miqtë më të rëndësishëm të Kosovës, e qytetarët gjithashtu, dhe mora vendimin e duhur. Nuk kishte asnjë alternativë tjetër“.

Sa i përket Listës Serbe, tre muaj pasi u bë kryeministër, Haradinaj e bëri të qartë shtrirjen e ndikimit të Radoičić. “Unë flas me të gjithë, edhe me Radoiçicin,” tha ai në një talk show të mbajtur në serbisht, por me qendër në Kosovë. “Ai është njeriu tek I cili shkohet për gjithçka”.

Në kohën e zgjedhjeve të 2017, Radoičić nuk mbante ndonjë pozicion zyrtar politik, por autoriteti i tij në botën e nëndheshme dhe mjetet e dhunshme të grupit të vet e bënë njeriun `”të cilit I drejtohen të gjithë”.

Radoičić është krahu i djathtë i Zvonko Veselinović, një biznesmen famëkeq serb nga veriu i Kosovës i cili përshkruhet në raportet e policisë serbe dhe ato të inteligjencës, të siguruara nga KRIK si një figurë drejtuese e krimit të organizuar. Sipas këtyre raporteve, grupi i tij ishte i përfshirë në krime të ndryshme, përfshirë trafikun e drogës, armëve dhe naftës në veri të Kosovës. Radoičić ka punuar si korrier, duke transportuar pako lëndësh narkotike nga Lordët kosovarë të drogës në Serbi.

Organet ligjzbatuese serbe kanë bërë disa përpjekje për t`i ndjekur penalisht të dy, Veselinovicin dhe Radoičićin, por dështuan çdo herë. Radoičić madje përfundoi në sallën e gjyqit për rrëmbim, por u la I lirë viktima ndryshoi dëshminë e tij. Ai u dënua vetëm një herë për zotërim dokumentesh të rreme.

Lista Serbe, partia politike e Kosovës, mbi  të cilën dihet se Veselinović dhe Radoičić kanë ndikim – u formua në vitin 2014 dhe u bë shumë shpejt e vetmja lojtare në komunitetin serb të Kosovës. Disa ngjarje shqetësuese ndihmuan në ngritjen e beftë të saj. Para zgjedhjeve lokale të vitit 2014, Oliver Ivanović, një politikan rival, u arrestua dhe u vendos në paraburgim policor. Një tjetër kandidat konkurent u vra dhe një I tretë, u tërhoq nga gara. Lista Serbe ishte gjithashtu e vetmja parti që gëzonte mbështetje të pakushtëzuar nga qeveria serbe.

Para se të bëhej presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić e shprehu hapur përkrahjen e tij për Veselinović në fjalimet që mbante, duke vlerësuar luftën e tij për komunitetin serb të Kosovës. Veselinović madje u takua me vëllain e Vuçiçit në vitin 2015, siç treguan KRIK dhe OCCRP zbuluan në fillim të këtij viti në bazë të një fotografie tjetër të rëndësishme. Zbulimet e dyfishta nxjerrin në pah një të vërtetë ironike: edhe pse Beogradi dhe Prishtina vazhdojnë të përplasen për pavarësinë e Kosovës, një grup i ndërlidhur figurash të pretenduara kriminale ka qasje tek njerëzit e fuqishëm të të dy qeverive.

Një i dyshuar me shumë influencë

Radoičić zyrtarizoi rolin e tij në Listën Serbe qershorin e vitit  2018, kur u bë nënkryetari i partisë. Por ai kishte pasur influencë në këtë forcë politike shumë përpara kësaj. “Ish kryebashkiakët e qyteteve serbe në Kosovë erdhën e mu ankuan se Radoićić ishte ai që merrte të gjitha vendimet”, shpjegoi Trajković, ish-ligjvënëse e Kosovës.

“Ata më thanë se ai mbante një zyrë joformale në restorantin Grey [në qytetin serb të Kosovska Mitrovica], ku jepte porositë se kush duhet të bënte çfarë. Ai zgjodhi emrat e ministrave të ardhshëm serbë [në Kosovë], shefave të policisë në veri të Kosovës, gjyqtarëve serbë [në Kosovë]. Dhe ai ishte në linjë të drejtpërdrejtë me Haradinaj”.

Tani, Radoičić nuk është më në shtëpi. Menjëherë pasi mori përsipër rolin drejtues në Listën Serbe, ai u largua nga Kosova pasi u shpall nën kërkim nga policia nën dyshimin e përfshirjes në vrasjen politik të politikanit rival Oliver Ivanović, janarin e vitit 2018. Pasi ai u zhduk, u lëshua urdhër-arresti për ndalimin e tij. Sot vazhdon të i lirë.

Nuk është dhe aq çudi që presidenti serb Vuçic I doli në mbrojtje. Pas takimit me Radoičić në Beograd, Vuçic tha se policia serbe e kishte marrë në pyetje dhe ishin të sigurt që ai nuk qe përfshirë në vrasje. Përkundrazi, Vuçiç këmbënguli se  Radoičić ishte një atdhetar që mbronte serbët e Kosovës, e tha se çështja kundër tij ishte e motivuar politikisht.

Në Kosovë, ndërkohë, Radoiçic është bërë një figurë gjithmonë e më toksike. “Pas vrasjes së Ivanovicit, politikanët në Kosovë filluan të distancohen nga ai,” thotë Demi. Por sidoqoftë, ndikimi i tij mund të ndihet për shumë vite në vijim.

Marrë nga KRIK

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.