Skandali/ RTSH nuk zbaton vendimin e AMA-s, Thoma Gëllçi nën urdhërat e TV Berishës

Pas vendimit të AMA-s për mbylljen e transmetimeve analoge në Tiranë dhe Durrës, të hënën në orën 10:00 televizionet ndërprenë sinjalin televiziv dhe kaluan në transmetimet digjitale, por këtij urdhri nuk i është bindur RTSH (Radio Televizioni Shqiptar).

Në kundërshtim me ligjin, drejtori i RTSH, Thoma Gëllçi ka sfiduar vendimin e autoritetit të vetëm për transmetimet televizive, duke vazhduar sërish me transmetimet analoge.

Ndryshimi i sinjalit, nga analog në dixhital, është një detyrim ndërkombëtar që lidhet ngushtësisht me procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Nuk dimë nëse RTSH kërkon të dëmtojë integrimin, por i vetmi që kundërshton ndërprerjen e sinjalit analog është Sali Berisha dhe në këtë rast RTSH është në sintoni të plotë me ish-kryeministrin që shprehet kundër “transmetimeve cilësore” për shqiptarët.

Halli i Berishës nuk janë shqiptarët, por TV Klan, ku kohët e fundit është shfaqur edhe si aksioner. Me fikjen e sinjalit analog dhe me daljen nga Digitalb, ky televizion fundoset përfundimisht, duke humbur qindra mijëra shikues.

Të paktën 250 mijë abonentë të Digitalb nuk shohin aktualisht më TV Klan, ndërkohë nga fikja e sinjalit analog, pritet që kjo shifër abonentësh që nuk do ndjekin këtë televizion, do të 4 fishohet.

Por a kanë lidhje këto shtyrje të vazhdueshme me interesin publik?

Alibia se shqiptarët nuk kanë mundësinë të blejnë dekodera bie, pasi për familjet në nevojë ato sigurohen nga shteti, ashtu siç bie edhe opsioni i dytë, ai i kohës.

Duket qartazi se kemi të bëjmë me interesa të ngushta biznesi, për të favorizuar operatorë të veçantë të tregut, konkretisht TV Klan.

Është e patolerueshme që TVSH, i cili financohet nga taksat e shqiptarëve, të favorizojë subjekte të caktuara, në dëm të interesit publik. Këto para publike, TVSH bashkë me një bandë njerëzish të ricikluar nga televizionet e tjera, i kanë shpërdoruar në menyrën më të keqe.

Mungesa e transmetimeve digjitale do të thotë më pak cilësi për shqiptarët. Ndaj RTSH dhe Thoma Gëllçi duhet të tregojnë më kë janë, me shqiptarët që paguajnë taksa, apo me Sali Berishën dhe TVKlan.

Gazeta SHQIP do të publikojë në vijim informacione të detajuara mbi mënyrën sesi menaxhohen fondet  e RTSH. Kush i përfiton, kush i shpërdoron, si kanalizohen dhe pse nuk mban askush përgjegjësi për shkeljet skandaloze.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.