Ballkoni, tepsia dhe timoni!

Nga Denis DYRNJAJA

Prej 30 vjet ata kontrollojnë pushtetin, kanë ndarë pushtet dhe kanë luftuar për të, madje edhe në kuptimin e parë të fjalës, edhe me armë. Për dhe prej tyre jane vrarë njerëz në emër të demokracisë, që e tillë nuk ishte kurrë, as në partitë që drejtojnë me dhe pa telekomandë e as në konceptin dhe realitetin shtetëror.

Aq më shumë demokraci përfaqësuese jo e jo. Erdhi si e tillë por rezultoi një gënjeshtër e madhe. Të gjithë këta personazhe dhe të tjerë bashkëpunëtorë e bashkëudhëtarë të tyre krijuan pseudodemokracinë. Krijuan pseudoqeverisjen se kush në formën e tij. Kur iu thua që jeni njësoj inatosen e xhindosen, se mendojnë se janë të ndryshëm, madje shumë të ndryshëm, besojnë se janë dhe të ndershëm.


Dhe gënjeshtra e tyre arrin deri në atë pikë sa besojnë dhe vetë se janë të ndershëm. Ata vërtetë janë të ndryshëm në tipa dhe karaktere, por janë të ngjashëm në mendësi. Ata krijuan sektet e tyre politike që i quajtën parti. Përmes tyre krijuan idhëtarë dhe ideologji. Kapën dhe përdorën pushtetin për përfitime e pasurim, ndërsa populli duket gjithnjë si jetim edhe pse në emër dhe interesave të tij flitet në çdo fjalim.

Njëri krijoi turmat populizmin e dy gishtave dhe “ballkonin”, e njerëzit e adhuronin, tjetri krijoi tepsinë ku llokmat e pushtetit ndaheshin për interesa familjaro/klanore, ndërsa tjetri që doli me tezën përtej të djathtës dhe te majtës krijoi “timonin” dhe na ka hipur në një autobus ku biletat janë 10, 20, 30, 40 milion euro.

Këta pra, personifikimet e ballkonit, tepsisë dhe timonit na kanë patur dhe na kanë fatin në dorë sepse atyre ua kemi lënë. Ata kanë bërë marrëveshje okulte dhe të hapura me njëri tjetrin. Kanë bërë hesape me ngjala e pa ngjala. Kanë krijuar pasuri të paimagjinueshme për nga koha e shkurtër dhe prejardhja profesionale, punësore apo fisnore që kanë.

Njohin vetëm gjuhën e shantazhit ndaj njëri tjetrit dhe nuk dinë çfarë është morali politik, shtetëror dhe njerëzor. Në 30 vjet kanë menduar sesi të shpikin dhe krijojnë skema të suksesshme për të vjedhur zgjedhje dhe për t’u pasuruar me ligj. Dhe në fakt ja kanë dalë. Kanë ndryshuar kushtetutën e ligjet si kanë dashur e sa herë kanë dashur.

Kanë shkelur ligjet dhe kanë treguar se ligji nuk është i njëjtë dhe barabartë për të gjithë. Janë bërë bashkë për të asgjësuar njëri tjetrin deri tani vetëm politikisht. Por si kanë ardhur kohët dhe përsa shumë lekë janë në lojë nuk është çudi që të fillojnë ta likuidojnë edhe fizikisht. E kanë urryer dhe e urrejnë si shoqin, por janë si e keqe e domosdoshme për njëri tjetrin dhe si e keqe e përhershme dhe shkatërrimtare për vendin.

Shpesh i sheh ndërsa urrehen e shahen, por pastaj të bashkëqeverisin. Janë shëmbëlltyrë e degradimit politik, shkaktarë të stanjacionit demokratik dhe pengmarrës të prosperitetit, mirëqenies dhe të ardhmes tonë kombëtare.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.