Më mirë klientë apo zgjedhës?!

Nga Enkel TASHO

Nuk është vështirë sot të kuptosh se njerëzit më ambiciozë dhe më vigjilentët janë sipërmarrësit e suksesshëm. Nëse ata nuk janë të vëmendshëm kur hapet një hapsirë e re për investim dhe nuk veprojnë shpejt për ta mbushur, humbasin mundësinë të fitojnë në lëmin që kanë zgjedhur si veprimtari për të jetuar. Jo vetëm kaq por nëse nuk tregohen të sjellshëm dhe të përulur me klientët nuk mund të kenë jetëgjatësi në biznes. Janë në një tension të tillë cdo cast sepse është ky tension i cili i siguron ekzistencën dhe suksesin.

Jo të gjithë e mbajnë mënd se kjo veprimtari e lirë nuk u sigurua as nga Nazizmi në vitet 1930 dhe as nga Komunistët pas viteve 1945. Të dy keto sisteme do i zgjidhnin individët të cilët do bënin rolin e sipërmarrësit, ndërsa tregu i lirë erdhi me demokracinë liberale, e cila cilëson si një të drejtë themelore të drejtën e të gjithëve për të qënë të lirë dhe si pasojë të mund të bëjnë sipërmarrësin kur dhe si të duan. Për shkak të demokracisë liberale nuk kemi më vetem një bukëpjekës në lagje, kemi më shumë se 2 farmaci në cdo rrugicë dhe më shumë se 3 mundësi ku të shijojmë kafen perpara se të fillojmë ditën.


Demokracia liberale e rregulloi më së miri tregun e lire duke i siguruar shoqerisë më shumë mundësi zgjedhjeje, me cmime konkuruese gjatë gjithë kohës, me përulësinë dhe mirësjelljen ndaj cdo konsumatori, cdo ditë, sepse vetëm në këtë mënyrë konkurenca nuk venitet dhe garantohet përmirësim i vazhdueshëm i cilësisë.

Kur mendon për njerëzit të cilët zgjedhim të na menaxhojnë rregullat e jetës tonë, politikanët, të cilët nën petkun e demokracisë liberale e kërkojnë këtë të drejtë, këtu ligji i konkurencës së lirë “funksionon” keq! Ata sillen si sipërmarrës por në të vertetë politikanët përballen me tensionin e konkurencës një herë në tre ose katër vjet dhe pasi menaxhojnë herën e parë të ardhurat tona, bëhen gati që të menaxhojnë dhe mendimet tona për herën e dytë sepse herën e tretë e më tej, njerëzit atrofizohen nga kulti i tyre.

Ndryshe nga marrdhënia me dikë që bën biznes, është shumë vështirë të gjesh një politikan në pushtet ose jo, i cili shqetesohet për veprimtarinë e tij nëse nuk është në fushatë zgjedhore apo në tensonin e të qënit një zgjedhje. Nuk ka nevojë të jetë vigjilent gjatë gjithë kohës sepse pushtetin e ka siguruar ose jo. Nëse një politikani do i duhet të bëjë dicka, mund ta bëjë kur të dojë dhe si të dojë sepse nuk ka tensionin se mund tja marrë dikush tjetër, i cili, në një cështje biznesi do duhet ta bënte më mirë për shkak të konkurencës.

Jo vetëm në vendin tonë por kudo në demokracinë liberale nuk mund të zgjidhen dy qeveri që të zotërojnë paralelisht cdo pushtet menaxhues. Nuk mund të ketë konkurencë midis dy spitaleve që menaxhohen nga qeveritë fituese ku spitali 1 jep shërbime shëndetsore vetëm kur të merr paratë për herë të dytë pasi ke paguar njëherë sigurimet shëndetsore dhe spitali 2 e ka të shenjtë betimin e Hipokratit, dhe jep shërbimin sepse e ke paguar taksën për ta perfituar këtë shërbim si pasojë e skemës së marrë përsipër nga një qeveri.

Është praktikisht e pamundur për njerëzit dhe për bizneset të zgjedhin cdo ditë se ku do i derdhin taksat në trastën e qeverisë 1 apo në trastën e qeverisë 2 por ne mund të imagjinojmë për më mirë.

Po sikur të kishim të paktën dy kryetarë bashkish ku secili do konkuronte kush mbjell më shumë pemë, ndërkohë që pemët do numëroheshin nga vetë populli. Ai që mbjell më shumë dhe jo vetëm kaq, por ai që i ka zgjedhur fidanët më të mire, do marrë më shumë taksa.

Sikur të zgjidhnim marrjen e shërbimit nga një institucion tek i cili paguajmë më pak, pra ka fitim më të ulët dhe jep më shumë shërbime sesa nje tjeter.

Mendoni, nëse dy qeveri do binin dakord të mos konkuronin, tregu i lirë njësoj si me biznesin të mundesonte krijimin e një qeverie të tretë apo të katërt, e keshtu me rradhë derisa të arrihej balanca e diagramës kërkesë-ofertë, dhe ky treg i lirë politik ti nënshtrohej plotësisht ligjeve ekonomike.

Imagjinoni, mund të zgjidhnim cdo ditë se cilën qeveri do paguanim, aq kollaj, sikur të zgjidhnim se në cilën furrë do blejmë bukën. Për pasojë kryetarët e qeverive do ishin kaq të perulur ndaj qytetarëve/klientëve tamam si një shitës patatesh i cili kur shikon se nuk ka shitur mjaftueshëm në fund te ditës kupton se përvec cilësisë së mallit, mbase duhet të sillet më mirë me klientët ne menyrë që ata të afrohen më shumë.

Politikanët janë më shumë të kujdeshëm të mos krijohet monopol ne tregun e lirë të konsumit sesa në krijimin e monopolit ne politike. Po sikur, biznesi të bënte të njëjtën gjë, pra te kujdesej që edhe në politikë të funksionojnë ligjet e ekonomisë së tregut dhe te sigurohej konkurenca. Është interesante ta mendosh sa thjeshtë pranojmë monopolin politik, ndërkohë na vjen keq për shitësin e vogël dhe e shikojmë me përbuzje të pasurin që mundohet të krijojë monopolin.

Mos vallë ka ardhur koha të zgjedhim të menaxhohemi nga biznesi?!

Mos është më mirë të na quajne klientë sesa zgjedhes?!

Fati i mirë i tyre që vetëm mund të imagjinojmë…, megjithëse një shprehje interesante nga ish presidenti i SHBA Abraham Lincoln thotë se: Një njeri mund të mashtrojë për një kohë të shkurtër shumë njerëz, mund të mashtrojë për një kohë të gjatë pak njerëz, por nuk mund të mashtrojë kurrë shumë njerëz për një kohë të gjatë.

Artikull për Gazetën SHQIP

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.