SHBA ndan Bashën nga Berisha, çfarë fshihet pas projektit amerikan

Nga Gazeta SHQIP

Pjesëmarrja e djeshme e opozitës në tryezën e dialogut të organizuar nga OSBE ishte sinjali i parë që Lulzim Basha është dakord për t’u përfshirë në bisedime me kryeministrin Edi Rama për reformën zgjedhore.

Edhe pse me një përfaqësim në nivel teknicienësh, që pas djegies në bllok të mandateve në shkurt, dje për herë të parë opozita joparlamentare theu bojkotin institucional, duke i dhënë fund pas shtatë muajsh aksionit të ashpër me protesta dhe dalje totale nga sistemi.

Ulja në tryezën e dialogut me gjasë është shenja e parë e një kompromisi të ri Rama-Basha. Ndërkombëtarët (kryesisht SHBA) kanë insistuar vazhdimisht që palët të hedhin këtë hap, ndërsa miratimi i reformës zgjedhore është edhe një kërkesë e drejtpërdrejtë e Gjermanisë, si kusht për hapjen e negociatave për Shqipërinë.


Tërheqja e papritur e opozitës nga aksioni opozitar në rrugë dhe transferimi i betejës në tryezë institucionale, u përshëndet edhe nga Ambasada Amerikane.

Pas goditjeve të forta që i bëri aksionit të dhunshëm opozitar gjatë verës, për herë të parë SHBA mbështeti publikisht Lulzim Bashën.

“Ne përshëndesim Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha që thirri një takim të opozitës dje. Përpjekjet e tij demonstrojnë udhëheqësi të vërtetë mbi një çështje thelbësore për forcimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike të Shqipërisë”, thuhej në reagimin e ambasadës.

Deklarata e SHBA, ku Basha vlerësohet për  “udhëheqësi të vërtetë” është një shuplakë e fortë për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili është shprehur kundër dialogut me Edi Ramën. Deklarata e SHBA është një dëshmi e qartë se amerikanët e ndajnë përfundimisht Lulzim Bashën nga ish-lideri I PD, Sali Berisha, i cili flitet se qëndron pas shumë vendimeve ekstreme të PD.

Siç duket kemi të bëjmë me një projekt amerikan që nxjerr përfundimisht nga skena politike Sali Berishën, duke forcuar rolin e Lulzim Bashës në PD.

Qëndrimet e SHBA ndaj zotit Berisha kanë qenë të ashpra, aq sa sipas kryeministrit Edi Rama, ish-liderit të PD bashkë me familjen, i është mohuar edhe viza, paçka se DASH nuk e ka pohuar dhe as mohuar një lajm të tillë.

Pjesëmarrja e djeshmë e opozitës në tryezën e diaogut nuk i ka pëlqyer fare Sali Berishës, që ishte edhe ideatori i djegies së mandateve.

Sipas burimeve, mësohet se menjëherë pas pjesëmarrjes së opozitës në tryezën e reformës zgjedhore, Berisha ka thirrur në shtëpinë e tij kryedemokratin Basha, për ta kritikuar për afrimin me amerikanët dhe Ramën.

Berisha, krejtësisht i izoluar nga ndërkombëtarët, tashmë e ka kuptuar projektin amerikan që synon eliminimin total të ndikimit të tij në skenën politike.

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.