Dalin pikturat që ilustruan tërmetin e tmerrshëm të vitit 1851 në Vlorë (FOTO)

Tërmeti i 1851 në Vlorë, që ka shënuar edhe më të tmerrshmin në Shqipëri ka dalë përmes pikturave, që janë publikuar në faqen e facebook të Artan Shkrelit.

Ky tërmet goditi më 12 tetor, rreth orës 7 të mëngjesit, me një magnitudë prej 6.6 shkallës Richter dhe intensitet të tmerrshëm prej 11 të Merkalit (ku max është 12).

Qyteti mesjetar u rrafshua thuajse krejtësisht, duke mos lënë gjurmë të tij, me përjashtim të xhamisë së forte Muradie. Kështjella, e dëmtuar më parë me mina nga venedikasit, por kryesisht “Torrazzo” e lartë e saj, u shembën keq. Qindra të vdekur, u pasuan nga një braktisje masive e qytetarëve të vjetër. Numri i viktimave do kishte qenë katastrofik nëse nuk do kish patur lëkundje të forta disa orë përpara, që në 2 të mëngjesit, gjë që kish detyruar njerëzit ta kalonin natën jashtë.


U shënuan dëme të jashtëzakoneshme edhe në Berat, i cili humbi thuajse gjithë strukturat me kulla guri që trashëgonte nga mesjeta, por rezistuan strukturat e lehta të stilit osman. Ky tërmet, që u lajmërua edhe nga mediat europiane, u ndje fort në Greqinë Veriore dhe Italinë e Jugut.

Gravura këtu, ksilografi e ngjyrosur me dorë, është botuar menjëherë pas ngjarjes në gazeten gjermane “Illustrierte Zeitung” -ndërsa origjinali, pjesë e një koleksioni privat, sot ruhet në Pragë.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




Comments are closed.