Përmendi Xhafajn dhe Ramën, Tahiri paralajmëron zbulimin e “të vërtetës”

Ish ministri, Saimir Tahiri i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 3.4 vite shërbim prove për akuzën e shpërdorimit të detyrës ka njoftuar se të shtunën (sot) do të dalë para mediave për të zbuluar të vërtetën ndaj tij. Deklarata për mediat do të zhvillohet në orën 11.30 ndërsa Tahiri ka paralajmëruar të flasë për “të vërtetat deri në këtë stacion të parë”.

“Në 11:30 shihemi ‘live’ këtu, për të shpjeguar të vërteten time, deri në këtë stacion të parë”, njoftoi Tahiri. Nuk dihet ende se çfarë do të përmbajë deklarata e Tahirit por pritet që ai të mos kursejë askënd.


Edhe gjatë gjyqit ai dha sinjale se do “të hapet”, ndërsa sulmoi hapur pasardhësin e tij Fatmir Xhafajn ndërsa tha se “ka ministra që s’kanë mbajtur përgjegjësi për vëllezërit e tyre”. Ai përmendi edhe “shefin e madh” Edi Ramën, ku nxorri një foto me të dhe tha se kishte drekuar me kryeministrin në po të njejtën ditë kur akuzohej se ishte takuar me Habiliajt. Ndërsa gjatë një interviste për TVSH-në është shprehur se “gjykatësit që morën vendimin ndaj tij, ishin të kërcënuar”.

“Vendimi ndaj meje ka qenë i sforcuar. Ky vendim u mor nën shantazh e kërcënime. Unë nuk merrem as me shantazhe dhe as me kërcënime. Nuk jam njeri i prapaskenave, sepse po të isha i tillë nuk do isha këtu ku jam e nuk do kisha arritur aty ku kam arritur”, deklaroi Tahiri.

I pyetur se a ndihej përgjegjës për kanabizimin e vendit, Tahiri theksoi se me këtë logjikë duhet të ishte në burg edhe Berisha, edhe Koço Kokëdhima apo edhe ministri aktual, për shkak se ka ende kanabis.

“Me këtë logjikë i bie që Koço Kokëdhima të ishte në burg që para tre vjetëve, i bie që Sali Berisha të ishte në burg që linte Lazaratin, i bie që ministri aktual i Brendshëm të jetë në burg se në Shqipëri ka kanabis. Unë rezervohem të flas për vendimin e Gjykatës pasi nuk e kam lexuar”, – tha Tahiri

Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda vendosi mbrëmjen e së enjtes të shpallte fajtor ish-ministrin e Brendshëm vetëm për shpërdorim detyre duke rrëzuar akuzat për trafik ndërkombëtar droge e korrupsion. Në përfundim dënimi me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, ulet me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe shkon në 3 vite e 4 muaj burg por konvertohet në shërbim prove për të njëjtën periudhë.

Kujtojmë se pas vendimit të gjykatës pati shumë reagime nga kampet politike në vend por edhe ndërkombëtar. Por në reagimin e saj Ambasada Amerikane vlerësoi hapin e hedhur nga drejtësia e cila ia doli të dënonte një zyrtarë të lartë, megjithëse tha se vendimi ishte shkurajues në raport me akuzat e ngritura, pasi priste të ishte më i fortë./realstory.al

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




Comments are closed.