Papa Françesku, 5 vjet nga dita kur erdhi për të bekuar Shqipërinë (FOTO)

21 shtatori i vitit 2014 shënon 5 vjetorin e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë. Ai mbërriti në kryeqytetin shqiptar me një mesazh të qartë. “Nënë Tereza është bijë e madhe e këtyre trojeve. Paqe në shtëpitë tuaja!”. Kjo ishte lutja e 5 vjetëve më parë e Papa Françesku në Tiranë, ku rrugët ishin mbushur plot e që ishte një vizitë historike në Shqipëri.

Në vizitën e tij të parë në Evropë, nga sheshi me emrin e shqiptares “Nënë Tereza”, mes tjerash Papa u është drejtuar shqiptarëve dhe të pranishmëve të tjerë me fjalët: “Erdha për t’iu inkurajuar që të rritet shpresa brenda dhe mes jush. Uroj që shqiponja që keni në flamurin tuaj, të mbajë gjithmonë shpresën te Zoti që nuk zhgënjen e qëndron pranë në momente të vështira”.

Si rrallë herë, me qindra mijëra besimtarë, të krishterë e myslimanë, kishin mbushur që në orët e para të mëngjesit bulevardin qendror të Tiranës, për të pritur Papa Françeskun. Ka pasur një pjesëmarrje të madhe besimtarësh nga Kosova, Mali i Zi, Italia, Zvicra e SHBA-ja.



Papa Françesku, i hipur në makinën e hapur të sjellë nga Vatikani, përshkoi gjithë Bulevardin e Tiranës, duke përshëndetur të gjithë besimtarët që patën mbërritur 5 vjet më parë që në orët e para të mëngjesit përgjatë sheshit qendror për të përshëndetur Papa Françeskun.

Ndërkohë, në 5 vjetorin e vizitës historike në Shqipëri të Papa Françeskut, Konferenca Ipeshvnore e Shqipërisë në mesazhin që përcolli sot shprehu falenderimet për Papën dhe fjalët e ngrohta që u përcolli shqiptarëve nga sheshin Nënë Tereza; “Shqiponjat fluturojnë lart, por nuk e harrojnë kurrë folenë e tyre”.

Gjatë këtyre 5 viteve, thuhet në mesazhin e Ipeshkvijve, Shqipëria ka bërë hapa përpara në zhvillimin shoqëror, ekonomik e shpirtëror. Por, shtojnë se vërejnë me shqetësim se si shumë familje po largohen nga vendi.

“Nuk mund të mos konstatojmë me keqardhje se situata e vazhdueshme e tensionuar shoqërore, mungesa e një zhvillimi ekonomik integral dhe gjithëpërfshirës, mungesa e vendeve të punës ose ekzistenca e vendeve të punës të nënpaguara e jo të paguara mjaftueshëm, niveli i ulët shkollor si dhe ofrimi i vakët i asistencës mjekësore, kanë qenë dhe janë shkaqet e largimit të shumë njerëzve”.

Ipeshkvijtë katolikë të Shqipërisë apelojnë për nevojën e dialogut dhe bashkëpunimit për t’i dhënë fund tranzicionit të vendit.

“Prandaj, ky mesazh u shkon më së pari atyre katolikëve që janë të angazhuar në jetën shoqërore dhe politike, në media dhe në strukturat akademike. Katolikët duhet të jenë për shoqërinë pjesë e zgjidhjes së problemeve e jo pjesë e shkaktimit të tyre”.

Ipeshkvijtë inkurajojnë të rinjtë në angazhimin e tyre të sinqertë, jo konfliktual dhe të pakorruptuar duke i nxitur që, “së bashku me të gjithë njerëzit vullnetmirë, pavarësisht bindjeve politike e fetare, e përtej tyre, të zhvillojmë ndjeshmërinë e punës dhe interesit për të mirën e vendit”.

©Copyright Gazeta SHQIP

 

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.