Jo, ne “nuk mundemi”?

The Guardian

Negativitetit mes votuesve demokratë duhet t`i gjendet ilaçi, nëse duan t`ia mohojnë vërtet presidentit republikan një mandat të dytë, thotë the Guardian.

Elizabeth Warren ishte në New York këtë javë, kujton editorialistja e tij Emma Brockes, e ngjitur në podium përpara turmave gjigande në Washington Square Park. Kandidatja për nominimin demokrat në garën presidenciale foli për korrupsionin në Shtëpinë e Bardhë dhe nevojën për një ndryshim dramatik; ajo përsëriti propozimin e saj, se nëse do të zgjidhej, të vendoste një taksë 2% mbi pasanikët më të mëdhenj të vendit e përmendi po ashtu një lëvizje punëtore të shekullit të 20-të, të kryesuar nga gratë. Pas tubimit, njerëzit qëndruan në radhë për një orë rresht vetëm që të bënin foto me të. E gjithë kjo, fton në mendje vetëm një përgjigje të mundshme, sipas Brockes: “Unë mendoj se Donald Trumpi ka për të fituar!“.


Pesimizmi elektoral në mesin e të majtëve në Shtetet e Bashkuara është një lojë e balansuar mirë, që në varësi të këndvështrimit tuaj, vepron ose si një mekanizëm kontrolli për vetëkënaqësinë ose si mënyrë vetë-mposhtjeje që në fund, nuk bën që gjë tjetër vecse garanton pikërisht atë rezultat të cilin ka kërkuar ta shmangë. Shumë nga ata që parashikojnë sot një mandat të dytë për Trumpin, i rikthehen përvojës së George W Bush që fitoi për herë të dytë zgjedhjet, edhe pse të gjithë ishin të bindur tek një triumf I John Kerry-t, i cili u shfaq si favorit mjaft i fortë.

Një shkrim i New York Times këtë javë shpalosi “ndjeshmërinë kritike” të Warren – e cila i duket shumë “elitë“ klasës punëtore – ashtu si dhe atë të konkurentes  Kamala Harris që konsiderohet shumë “mainstream“ për ekstremin e majtë dhe Bernie Sanders qe mbetet në mes, shumë larg të dyjave. Përjashtim mund të përbëjë pak Joe Biden i cili, ndonëse një milion herë më i mirë se Trumpi, është kaq jofrymëzues si kandidat (oh, është dhe Bill de Blasio natyrisht, që  në sondazhe shënon 0%) .

A është stafi I fushatës së Trumpit përgjegjes për këtë situatë? Dikush mund të mendojë që jo. Vetëbesimi i tij I verbër,  i rrënjosur në një patologji që në rrethana të tjera mund të kërkonte ndërhyrje klinike, ngatërrohet në pjesë të mëdha të vendit si “ udhëheqje“. Dhe ndërsa mbështetja që Trump gëzon nga republikanëte bazës është një njollë për partinë e cila nuk ka per tu hequr kurrë, nuk ka kundërshtim se ajo mbetet mjaft e efektshme. “Trumpi do të fitojë,” i thashë një shoqeje këtë javë dhe ajo m`u kthye me ulërima :  “Atë mos e thuaj!!” . Por tërheqjes gravitacionale drejt pesimizmit, ishte e pamundur t`i rezistohej, vazhdon Brockes.

Duket e drejtë sidoqofte të supozojmë se ajo kokrra e vogël e së vërtetës, të cilën kritikat e kundërshtarëve të Trumpit mund ta lejojnë të rritet, do të arrijë ndoshta të lulezojë duke e mbytur një fushatë nga brenda e duke I shtyrë republikanët “të mbyllin hundën“ ndërsa votojnë Trumpin për një mandat të dytë. E kështu, teksa mund të jetë e vërtetë që Warren ka pamjen e një “peshkopeje“ e cila nuk “i ngjit“ votuesve që nuk kanë shkuar në Harvard, rreziku i vërtetë për fushatën e saj qëndron diku tjetër: tek psikologjia e rrezikshme e së majtës që parashikon humbjen vetëm për të zbutur goditjen, dhe duke pëshpëritur me vete : “Jo, ne nuk mundemi”.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.