Publikohet raporti prej 55 faqesh, ja si u mbrojt Meta përpara Delegacionit të Venecias (DOKUMENTI)

Ashtu sikurse edhe e pati deklaruar, presidenti Meta ka publikuar në faqen zyrtare të institucionit që ai drejton dekretin për zgjedhjet vendore dhe arsyet pse e ndërmori një veprim të tillë.

Presidenti ka bërë përpjekje të qëndrueshme dhe maksimale që kredencialet demokratike të Shqipërisë të përmirësoheshin duke respektuar jo vetëm kushtetutën por edhe detyrimet në kuadër të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ), të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) Shqipëri-BE, standardeve të OSBE, si dhe në funksion të ushtrimit të Kryesisë së OSBE gjatë 2020, duke qenë një shembull pozitiv edhe për vendet e tjera në përmbushjen e standardeve zgjedhore dhe demokratike.

“Rreziku i cënimit të integritetit të procesit zgjedhor të 30 qershor 2019 që do të ndikonte negativisht mbi këtë vendim, u evidentua qartë edhe në raportin e OSBE/ODIHR, ku konstatohet se kjo periudhë u karakterizua nga antagonizmi i thellë i palëve dhe mungesa e përgjegjësisë së përbashkët” – shkruan Presidenti në raportin e tij.


Ai thotë se “Kriza politike u intensifikua me afrimin e ditës së zgjedhjeve. Ky antagonizëm ishte tregues i mungesës së përgjegjësisë së përbashkët ndaj integritetit të procesit zgjedhor që duhet të tejkalonte ndasitë partiake, dhe, rrjedhimisht, ndikoi negativisht në të drejtën e qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje”.

Sipas Metës, proceset zgjedhore në Shqipëri gjithmonë janë karakterizuar nga mosbesimi ndërmjet palëve politike. Jo rrallë herë, mosbesimi është thelluar si pasojë e mungesës së dialogut politik duke përshkallëzuar në qëndrime antagoniste dhe ndeshje force mes palëve. Nuk kanë munguar as rastet fatkeqe kur konflikti politik ka çuar në polarizim të skajshëm shoqëror, deri në përplasje civile me pasoja shkatërrimtare për rendin demokratik dhe institucional, për sigurinë publike dhe për sigurinë e jetës së qytetarëve dhe pronës.

Meta flet edhe për dosjet penale me numrat “184” dhe “339” që kishin në përmbajtje të tyre të dhëna mbi krime zgjedhore që krijonin dyshimin e arsyeshëm për lidhje të zyrtarëve të lartë të mazhorancës qeverisëse me banda famëkeqe kriminale, me qëllim manipulimin e rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve lokale në Dibër në 2016 dhe të zgjedhjeve parlamentare në Durrës 2017, në favor të Partisë Socialiste. Mos-hetimi për një kohë të gjatë i këtyre dosjeve dhe fakti që personat e përfshirë në këto krime zgjedhore gëzonin edhe imunitet politik, nxitën opozitën të ndërmerrte hapin ekstrem të dorëheqjes në bllok.

©Copyright Gazeta SHQIP

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.