Fatura e rëndë e tepsisë

Nga Klodian TOMORRI

Në mars të vitit 2011, qeveria e atëhershme shqiptare zhvilloi tenderin për ndërtimin e linjën e interkonjeksionit 400 kilovolt Tiranë Prishtinë. Projekti financohej përmes një huaje nga banka gjermane KFW dhe në garë morën pjesë 2 kompani, kroatja Dalekovod dhe boshnjakja Energoinvest.

Në mënyrë të papritur KFW shpalli fituese firmën kroate, e cila kishte ofruar një çmim plot 8.2 milionë euro më të lartë se sa Energoinvesti i Bosnjes. Por paratë ishin hua dhe do të paguheshin nga qytetarët shqiptarë. Sapo mori vesh shpalljen e fituesit, Sali Berisha e bllokoi tenderin.

Në atë kohë, presioni mbi qeverinë ishte i madh. Nga njëra anë banka gjermane kërcënonte me anullim të financimit, nga ana tjetër opozita e atëhershme akuzonte qeverinë se ishte duke sabotuar interesat kombëtare dhe bashkimin energjetik mes Shqipërisë dhe Kosovës. Por Sali Berisha qëndroi deri në fund dhe vendosi anullimin e procedurës.



Tenderi u përsërit në vitin 2014 dhe për ironi Rama, që në atë kohë akuzonte Berishën se po favorizonte serbët, shpalli fituese të njëjtën kompani që donte të shpallte qeveria e Berishës, bosnjake Energoinvest. Qytetarëve shqiptarë ju kursyen 8.2 milionë euro dhe më vonë edhe vetë KFW e pranoi se tenderi i parë kishte patur parregullsi.

Do të kalonin më shumë se tetë vite që në Shqipëri të përsëritej një rast thuajse identik me atë të linjës së Kosovës. Bëhet fjalë për tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë, vetëm se këtë herë interesat korruptive nuk vijnë nga jashtë, por janë të brendshme dhe madje në luftë me njëra tjetrën.

Zanafilla e këtij konflikti ishte vendimi i ARRSH për të skualifikuar të 5 ofertat me çmimet më të ulëta në tender dhe për të shpallur fituese ofertën më të lartë, e cila kishte një diferencë prej 4.3 milionë euro me vendin e parë. Ky ishte detonatori që ka ndezur një luftë të ashpër brenda llojit me përplasje të forta mes institucioneve dhe klaneve ekonomike në qeveri.

Komisioni i Prokurimit Publik, organi më i lartë vendimarrës në fushën e prokurimeve e gjeti të paligjshëm vendimin e ARRSH dhe e ndryshoi fituesin e tenderit duke ja dhënë ofertës më të ulët. Por ARRSH e refuzoi ta zbatonte vendimin për ndryshimin e fituesit, çka çoi në anullimin e tenderit nga Ministria e Energjisë.

Lufta e ashpër e interesave korruptive që ka shpërthyer brenda Partisë Socialiste po i ngarkon qytetarët shqiptarë me një faturë të dyfishtë. Kostoja e parë e kësaj fature është ajo e korrupsionit, e cila ka përmasa monstruoze dhe mund të shkojë deri në 5 milionë euro për një kontratë të vetme, sic u ekspozua nga tenderi i rrugës Kardhiq-Delvinë.

Por veç rritjes së kostove, lufta brenda llojit në qeveri ka sjellë edhe një faturë tjetër po kaq të rëndë për qytetarët, atë të bllokimit total të investimeve publike dhe veprave të zhvillimit. Projektet e infrastrukturës janë shembulli më i qartë.

Për gjithë vitin 2019, Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk ka lidhur asnjë kontratë të re investimi në rrugë. Në këto 8 muaj e gjysmë, ARRSH ka patur 7 procedura tenderimi në proces. Ato janë dy procedurat për ndërtimin dhe supervizimin e lotit 7 të rrugës Kardhiq-Delvinë, dy të tjera për lotin I të Unazës së Tiranës, supervizimin e lotit 2 po të Unazës dhe dy procedura të tjera për sinjalistikën ttugore në Jug dhe në Veri. Por për tetë muaj e gjysmë, ARRSH nuk ka mund të mbyllë me sukses asnjë prej këtyre tenderave. Shkaku i dështimit është pikërisht konflikti mes klaneve ekonomike brenda maxhorancës, të cilat përleshen për çdo kontratë dhe tender publik.

Ky bllokim i projekteve të infrastrukturës ka një kosto të madhe për qytetarët, po aq sa rritja e faturave për shkak të korrupsionit. Qytetarët e Sarandës, të cilët shpresonin se në vitin 2021 më në fund do të udhëtonin 3 orë me shpejtë për në Tiranë, tashmë duhet të presin pa afat. Gati 1 milionë qytetarët e Tiranës, të cilët presin zgjidhjen përfundimtare të nyjes hyrëse tek sheshi Shqiponja, janë kapur peng nga sherri që kanë grupet e ngushta te interesit në qeveri se kush prej tyre do ta përfitojë llokmën e madhe 20 milionë euro të kësaj kontrate.

Por teksa investimet e reja dështojnë pafundësisht, të vetmet kantiere ku punohet janë ato të hapura nga viti i kaluar e më parë. Në fakt, tenderat publikë në Shqipëri gjithmonë kanë patur korrupsion. Por me sa duket në të kaluarën vendimarrja ka qenë e koordinuar deri në hierarkinë më të lartë të qeverisë. Ndërsa tani lufta mes klaneve ekonomike brenda PS-së është bërë aq e fortë sa që kafshët kanë dalë nga kafazi dhe nuk po i binden më as zbutësit, bablokut te madh.

Kjo është një pikë pa kthim, që e shndërron qeverinë dhe Partinë Socialiste në një organizatë të mirëfilltë interesash private ekonomike, në kundërshtim të hapur me interesin publik. Dhe tani Edi Rama nuk ka kujt t’ja faturojë më tepsinë, pervecse vetes së tij.

©Copyright Gazeta SHQIP

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.