Kemi 30 vjet me lakenj politikë, që nuk merren vesh!

Nga Denis DYRNJAJA

Turpi i madh që pas 30 vitesh duhet ndërmjetës ndërkombëtar për të zgjidhur “skuthllëqet” e shtetpolitikës sonë. Ne rrimë e presim çfarë tha Merkel, Brukseli apo Washingtoni. Kjo jo se këta njerëz që merren sot e 30 vjet me politikë në Shqipëri, nuk dinë të merrem vesh dhe kanë nevojë për ndërmjetës, por sepse këta nuk merren dot vesh sepse janë të pasinqertë me atë që promovojnë dhe pretendojnë e se çfarë në realitet kërkojne.

Këta nuk merren vesh se nuk duan shtet të vërtetë me ligje dhe nënshtrim ndaj tyre. Këta të gjithë duan pseudoshtet për të përfituar dhe pasuruar padrejtësisht.



Si rrjedhim ngaqë e dinë dhe e njohin njëri tjetrin se ç’janë në brendinë e tyre, si janë dhe çfarë synimesh kanë niveli i mosbesimit dhe shantazheve ndaj njëri tjetrit është në maksimum. Dhe ironia është se të gjithëve po iu “digjet” shpirti e zemra për kushtetutën e demokracinë. Hipokrizi mashtrim të stolisur me demagogji.

Dhe në këtë mënyrë ne përveç se sorollatemi kot për të kuptuar dhe pritur zgjidhjen e “pseudokrizës” u diskredituam si popull që nuk bëjmë dot shtet sepse ca lakenj dhe uzurpatorë kanë zaptuar përfaqësimin politik nëpërmjet skemave që kanë hartuar dhe menaxhojnë prej 30 vjetësh. Ata janë ndarë në grupe dhe herë bashkëpunojnë dhe herë luftojnë kundër njëri tjetrit në emër të parimeve, por në fakt thjeshtë për përfitime. Kaq është e gjitha: janë marrë vesh që të mos merren vesh!

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.