Lleshaj flet me shifra dhe falenderon partnerët e huaj për megaoperacionin “Limit”

Vetëm pak pas deklaratës së kreut të Policisë dhe njësisë së krimit në organizuar në Prokurorinë e krimeve të Rënda për megaoperacionin e koduar “Limit”, ka ardhur edhe reagimi në facebook i ministrit Sandër Lleshaj.

“Operacioni ndërkombëtar “LIMIT” shkatërroi sot katër grupe te organizuara kriminale me veprimtari në fushën e narkotikëve. 57 persona, në Greqi dhe në Shqipëri janë vënë përpara ligjit.

Ky është një sukses shumë i madh i Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Krimeve të Rënda, agjencive të tjera dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. “LIMIT” është kulmi i një serie të madhe goditjesh që krimi i organizuar ka marrë këtë vit.



Vetëm gjatë këtij viti, ”FORCA E LIGJIT” ka finalizuar 28 operacione, në fushën e trafikut të narkotikëve janë arrestuar gjithsej 170 persona, janë sekuestruar rreth 55 milion Euro dhe shumë gjëra të tjera. Por asgjë nuk mbyllet me kaq. Operacioni vazhdon. Lufta kundër krimit të organizuar do të njohë vetëm përshkallëzim të mëtejshëm në funksion të përmbushjes së objektivave të mëdha për një Shqipëri të zhvilluar, demokratike dhe europiane.

Përgëzimet më të mira për Policinë e Shtetit, Prokurorinë e Krimeve të Rënda, agjencitë e tjera shqiptare të përfshira si dhe për partnerët ndërkombëtarë të angazhuar në këtë operacion, përfundon statusin e tij Ministri i Brendshëm Lleshaj.

©Copyright Gazeta SHQIP


Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.