Kush janë buburrecat e Edi Ramës

Nga Gazeta SHQIP

Përveç frontit opozitar nga njëra anë dhe presidencës nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka kundër edhe një front të tretë nga partia e tij. Bëhet fjalë për ish-ministrat Ditmir Bushati, Niko Peleshi, Fatmir Xhafaj dhe Arben Ahmetaj.

Por ndërsa përplasja me opozitën është normale në çdo vend, ashtu siç ishte e pritshme edhe “opozita” e presidentit të zgjedhur me votat e socialistëve, paradoksale është tradhtia e të privilegjuarve brenda PS.

Edhe pse kryeministri nuk e shpreh publikisht krisjen me ish-superministrat e tij, ‘tradhtia’ është e dukshme që prej momentit që ata u shkarkuan nga detyra.

Gjatë një takimi, shefi i qeverisë foli për buburrecat që po gërryejnë qeverinë dhe administratën.

Duke iu përgjigjur një qytetari, Rama tha: “Të jesh i sigurt se nuk kam patur nevojë të ulem në një stol për të parë çfarë po më bëjnë buburrecat nga poshtë, rri në këmbë dhe shoh buburrecat që gërryejnë.”

Siç shihet, kryeministri nuk shqetësohet nga kundërshtarët brenda partisë, të cilët i quan buburreca, por këshilla e qytetarit duhet të merret në konsideratë.

“Sa do i fortë të jetë ky trung, nëse këto buburreca nuk do të zhduken, ky trung përsëri do të mbetet i gërryer”, iu drejtua qytetari Ramës.

Rasti i Bushatit, Xhafajt, Peleshit dhe Ahmetajt, metaforikisht është i njëjtë me buburrecat. Siç buburrecat gërryejnë trungun e pemëve, të njëjtën gjë po bëjnë edhe ish-ministrat duke gërryer partinë nga vijnë. Edhe pse janë të izoluar, të papeshë dhe të menjanuar krejtësisht, loja e tradhtarëve të ‘Rilindjes’ mund të rezultojë me kosto për partinë më të madhe në vend.

Të katër ish-ministrat e Ramës kanë qenë pjesë e kabinetit qeverisës për 5 vite në dy mandate dhe cilësoheshin të gjithëpushtetshëm. Shkarkimi duket se la shije të hidhur, aq sa vendosen të hakmerren ndaj partisë së tyre, e cila, sipas tyre, vlen vetëm kur të jep pushtet.

Ish-ministrat flirtojnë vazhdimisht me opozitën, ndërsa i furnizojnë edhe me informacione të ndryshme. Flirti kulmon në rastin e Niko Peleshit, ndaj të cilit ka një hetim nga prokuroria për helmim të shqiptarëve, por çuditërisht opozita nuk thotë asnjë fjalë për këtë skandal.

Ditmir Bushati njihet për afrimitetin e tij me presidentin Ilir Meta, i cili tentoi ta mbajë me forcë në detyrë si ministër të jashtëm edhe pse ishte shkarkuar nga Rama. Duke u bazuar nga lidhja e Bushatit me presidentin dhe mbështetja e madhe që merr nga portalet e opozitës, sipas të gjitha gjasave ish-ministri po bëhet gati të kandidojë për LSI.

Buburrecat e Ramës vazhdojnë aktivitetin e tyre kundër PS, ndërsa kryeministri duhet të marrë në konsideratë një vendim; Do vijojë t’i shohë nga lart teksa e gërryejnë, apo do të dëgjojë këshillën e qytetarit “duke i pastruar që trungu të jetë i shëndetshëm dhe me imunitet”?

©Copyright Gazeta SHQIP

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.