“Telefonata ime e fundit, ja çfarë më tha…”, rrëfehet bashkëshortja e kapitenit të zhdukur

Bashkëshortja e kapitenit të zhdukur në rrethana misterioze, Vesile Yavuz kërkon nga autoritetet e vendit të saj, por edhe Shqipëria të bëjnë gjithçka munden për të gjetur bashkëshortin e saj, Sezgin Yavuz.

Ajo tregon se ka folur në telefon me bashkëshortin gjatë ditëve të tij të udhëtimit, porse më pas çdo kontakt u shkëput. Vesile Yavuz me banim në qytetin Fethiye në provincën perëndimore turke Muğla, e cila tashmë tre muaj e gjysmë është shtatzënë, në një prononcim për gazetarët tha se i shoqi i saj kishte dalë jashtë shtetit para dy muajve dhe se një javë më parë ka marrë rrugën për t’u kthyer.

Ajo rrëfeu se më 4 shtator ai i kishte telefonuar për t’i treguar se do të kthehej në Turqi dhe se mund t’i telefononte sërish pas dy ditësh.



“Nuk më telefonoi më. Të shtunën u gjet mjeti lundrues. Mjeti është gjetur në gjendje aktive, por bashkëshorti im nuk ka qenë brenda. Ende nuk është gjetur. Kërkoj ndihmë nga zyrtarët tanë të lartë të shtetit. Dua që i shoqi im të kthehet. Vajza ime pyet për babain e saj dhe unë nuk mund t’i them asgjë”, shtoi Vesile Yavuz.

Jahti me emrin “Atik Bey” u gjet i braktisur disa ditë më parë në ujërat ndërkombëtar në Detin Adriatik, 12 milje larg bregdetit të Shëngjinit, ndërsa gjatë kontrollit policor u gjetën dokumentet e kapitenit 31-vjeçar Sezgin Yavuz.Gati një javë më parë, Yavuz çoi në Shqipëri pronarin e jahtit, Nedim Akyüz, ndërsa më pas u nis për në Greqi.Jahti u gjet në gjendje aktive nga ana e peshkatarëve, ndërsa më pas filloi hetim pas mungesës së kapitenit Yavuz, për të cilin policia fillimisht dyshoi se ishte pronari i mjetit lundrues.

©Copyright Gazeta SHQIP


Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.