Korrupsion për të parë “El Classicon” në Spanjë, 3.5 vite burg për tre gjykatësit

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar 3.5 vite burg për 3 gjyqtarët e Durrësit të akuzuar për korrupsion. Bëhet fjalë për gjyqtarët Petrit Ceno, Kliton Spahiu dhe Petraq Dhimitri.

Në rast dënimi do aplikohet ulja e dënimit me 1 të tretën, sepse procesi është zhvilluar me gjykim të shkurtuar, pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda më 9 korrik.

Ndërsa për biznesmenin Namik Sadiku, për të cilin gjyqtarët favorizuan një vendim është kërkuar 2 vite burg. Tre gjyqtarët dyshohet të kenë përfituar në mënyrë të paligjshme udhëtime jashtë vendit, madje në një rast kanë ndjekur edhe një ndeshje futbolli në Spanjë. Për këto përfitime, sipas Prokurorisë, ata kanë dhënë një vendim civil në favor të biznesmenit Namik Sadik edhe ky nën hetim nga Krimet e Rënda.



Si prova, Prokuroria radhiti udhëtimet në të njëjtën kohë të tre gjyqtarëve me biznesmenin si në Itali, ashtu edhe në Spanjë si edhe prerjen e biletave të udhëtimit në të njëjtën kompani, së bashku me akomodimin.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, gjyqtarët kanë udhëtuar për të ndjekur ndeshjen mes Real Madridit dhe Barcelonës në tetor 2014, ndërkohë që kishin një proces të hapur me palë pikërisht këtë biznesmen.

Biznesmeni Sadiku ishte palë në një çështje gjyqësore në Gjykatën e Apelit në Durrës, ku relator ishte gjyqtari Spahiu dhe anëtarë të trupit gjykues ishin Petrit Çeno dhe Petraq Dhimitri. Petrit Çeno u shkarkua nga vettingu në shkurt të këtij viti nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pasi rezultoi se ka fshehur pasurinë.

©Copyright Gazeta SHQIP


Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.