TV Klan, Niko, Saliu, portalet dhe Silicon Mix! 

Nga Gazeta SHQIP

Opinioni publik prej ditësh është informuar rreth një skandali që ka nisur një vit më parë dhe që bëhet fjalë për helmin “Silicon Mix”. Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit nxori fakte konkrete mbi shkeljet e shumta të ish-ministrit të Bujqësisë Niko Peleshi, i cili me firmën e tij ka lejuar futjen në Shqipëri, të këtij pesticidi të rrezikshëm.

Por në mes të së vërtetës dhe manipulimit, opinioni publik është çorientuar, ca nga portalet që e mbrojnë Niko Peleshin dhe ca nga lajmet e televizioneve kombëtare, siç është ai i TV Klan.

Për ta bërë më të thjeshtë, mjafton të shohim lajmet e këtij të fundit.



Në edicionin informativ të orës 19.30, të datës 4 shtator, TV Klan, anonçon lajmin e rrezikut që shkaktohet nga helmi “Silicon Mix”, bazuar edhe në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Madje përcjell për publikun edhe informacionin se Prokuroria ka nisur hetimet ndaj ish-ministrit Niko Peleshi, falë investigimit të TV Klan.

Ndërkohë, dy ditë më pas, ky televizion përcjell një tjetër lajm, duke kundërshtuar atë që kishte thënë një dite më parë. Në lajmet qendrore të datës 6 shtator, TV Klan thotë se Prokuroria ka dalë bllof, KLSH ka krijuar raport pa fakte, “Silicon Mix” nuk të dëmton dhe Niko Peleshi ka bërë detyrën siç duhet.

Pra, nga pesticid, TV Klan e ktheu “Silicon Mix” dhe Niko Peleshin, si domosdoshmëri për bujqësinë tonë.

Vijojmë më tej…

Portali i Anila Bashës, Newsbomb, nis përpjekjet për të mbrojtur “Silicon Mix” dhe Niko Peleshin.

Ajo boton një artikull, ku sipas saj gjatë një kronike në Top Channel, të intervistuarit Shpend Shahini, i është çensuruar fjala për “Silicon Mix”. Newsbomb-i i Anilës tha një të pavërtetë, pasi intervista nuk ishte çensuruar, por ishte transmetuar.

Anila Basha ndoshta ka një arsye për të justifikuar faktin që helmin e trajton si mjaltë, sepse ka shumë miqësi me Niko Peleshin, sicc dëshmojnë fotot nga drekat, darkat dhe stadiumet.

Kulmi arrin me disa media shumë pranë Partisë Demokratike, që nuk kanë thënë asnjë rresht për helmin që u është shitur fermerëve.

As Partia Demokratike me ekspertët e saj të bujqësisë, nuk reaguan për këtë raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Madje, as qytetari dixhital, Sali Berisha, i cili nuk le gjë pa komentuar, për “Silicon Mix”, heshti.

Mjekët toksikologë thonë se “Silikon Mix” mund të shkaktojë deformime të ndryshme të ADN-së së njeriut, ndryshime të cilat, më pas shoqërohen me keqformime fizike dhe mentale tek foshnjat e sapo ardhura në jetë.

Por doktor Berisha, që qan hallin e TV Klan për daljen nga DIGITALB, nuk mbajti një qëndrim për “Silicon Mix”.

Kjo është fare lehtë e shpjegueshme. Njësoj si Ditmir Bushati, edhe Niko Peleshi futet tek tradhëtarët që pas shkarkimit si Ministër është afruar me Partinë Demokratike.

©Copyright Gazeta SHQIP


©Copyright Gazeta SHQIP



Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.