Kryemadhi sulmon Qendrat Tregtare, reagon Kadia: Kam 4 sugjerime!

Ditë më parë, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi u bënte thirrje anëtarëve të LSI që të sabotonin qendrat e mëdha tregtare, e të kryenin blerjet e produkteve ushqimore, e jo vetëm, në dyqanet e lagjeve.

Por për ekspertin e ekonomisë, Besart Kadia, kjo qasje është e gabuar.



Përmes një video të postuar në Facebook, ai ka rënditur edhe 4 argumente se përse kjo qasje është e gabuar.

“Së pari konsumatori është racional. Ai vendos gjithnjë interesin personal mbi interesin publik. Për këtë arsye, ai di kombinimin e mirë të cilësisë, shërbimit si dhe dobishmërisë që merr nga produkti. Ndaj thirrja e kësaj partie politike është të vendosë interesin e saj, pra interesin e partisë mbi interesin personal të individëve dhe kjo është e gabuar.

Së dyti, thirrja për të blerë në dyqanet e vogla nuk është një politikë zhvillimore. Ne jetojmë në një ekonomi tregu, ku dyqanet e vogla, supermarketet më të mëdha, por edhe qendrat tregtare konkurrojnë me njëra-tjetrën dhe është vetëm kjo konkurrencë që në fund fare vendos se kush do të jetë fituesi dhe jo partitë politike.

Së treti dëshira për të falimentuar qendrat e mëdha tregtare nuk është një politikë e duhur për Shqipërinë. Shqipëria është një vend i varfër dhe këto financime për qendrat e mëdha tregtare kanë kushtuar qindra miliona euro dhe punësojnë mijëra të rinj. Në rast se ato falimentojnë vuan e gjithë ekonomia shqiptare.

Së katërti, një parti politike nuk mund të merret kurrsesi me emra të përvetshëm apo të ndërhyjë në ekonomi. Ajo do të thotë, në rast se këto qendra tregtare kanë bërë ndonjë konkurrencë të padrejtë, të forcojë autoritetin e konkurrencës dhe të ndihmojë biznesin në tërësi, nëpërmjet forcimit të sistemit gjyqësor, ku individi është i pari dhe biznesi ndihet i mbrojtur nga arbitrariteti i shtetit.”, janë 4 argumentet e Besard Kadias, i cili shton se këto 4 arsye ka ikur koha kur politika ndërhynte në ekonomi, e se duhet të jetojmë në ekonomi tregu.


Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.