Historia e pabesueshme e komplotit kundër George Sorosit!

Nga Hannes GRASSEGGER

Kulla e qelqit që rrethon zyrën e George Soros në Manhattan po përmbytet nga numrat nëpër ekrane, që gjurmojnë e parashikojnë udhëzimet e tregjeve në të gjithë botën.

Por ka një që është veçanërisht e vështirë për t’u kuptuar, një tabelë portokalli në një ekran që analizon ndjenjat në mediat sociale. Të dhënat, të azhornuara rregullisht që nga viti 2017 projektojnë reagimet në internet ndaj emrit “George Soros”. Kështu shkruan buzzfeedneës.com, teksa përmendet dhjetëra mijëra herë në javë dhe pothuajse gjithmonë për keq; në disa prej rasteve, duket qartë se mesazhet kryhen nga robotë:  “Soros është e keqe e pastër. Një kontrabandist droge.  Zhvatës. Ekstremist. Komplotues. Nazist. Hebre”. Është një shfaqje urrejtjeje e pastër.

Për kompaninë mediatike amerikane, të fokusuar tek media dixhitale, demonizimi i Soros është një nga tiparet përcaktuese të politikës bashkëkohore globale dhe është praktikisht, me disa përjashtime, një paketë gënjeshtrash.



Soros është vërtet çifut. Ka qenë vërtet një tregtar monetar agresiv. Ka mbështetur demokratët në SHBA dhe nocionin e Karl Popper për një “shoqëri të hapur” në ish-bllokun komunist. Megjithatë, shumë teori  “të egra” e mjaft të përhapura, të cilat përfshijnë sugjerimin se ai ndihmoi në rrëzimin e Bashkimit Sovjetik në mënyrë që t’i hapte rrugën në Europë afrikanëve dhe arabëve, janë aq të çmendura sa do të bënin për të qeshur, se nuk do të ishin aq ”ngjitëse”.

Soros dhe ndihmësit e tij, thuhet në shkrim e kanë pyetur gjatë veten se nga vjen e gjithë kjo.  Vetëm një pjesë e vogël, vazhdon artikulli, e dinë përgjigjen. George Birnbaum, këshilltar politik që ka punuar në SHBA, Izrael, Hungari dhe mbarë Ballkanin, pranoi të fliste për të parën herë për rolin e tij në krijimin e “gogolit” Soros, që përfundoi duke lëshuar një valë globale anti-sulmet semitike ndaj investitorit miliarder.

Në të njëjtën kohë ai donte të mbronte dhe punën e vet dhe atë të ish-mentorit dhe mikut të tij, Arthur Finkelstein. Birnbaum ishte rritur duke besuar se vetëm një komb i fortë, shteti i Izraelit, mund t’i mbronte hebrenjtë nga një Holokaust i dytë.

Të gjitha këto e bëjnë të çuditshme që idetë e Birnbaum dhe Finkelstein krijuan një valë të re të antisemitizmit dhe që ata e bënë këtë në shërbim të një lideri autoritar, kryeministrit hungarez Viktor Orbán, të parë me dyshime në mbarë botën për pikëpamjet e tij të ekstremit të djathtë.

Të dy ata mblodhën argumente kundër Sorosit, nga Lindja dhe Perëndimi, nga e majta dhe e djathta dhe i shkrinë së bashku. Dy hebrenj amerikanë, një figurë e rëndësishmë në politikën e SHBA, ndihmuan në krijimin e një përbindëshi. Nuk ka dyshim, thotë Buzzfeed, që Birnbaum  luajti një rol kyc në shndërrimin e antisemitizmit në armë. Dhe këtë e bëri duke e vendosur Sorosin në dërrasën ku pritet mishi.

Duke filluar nga viti 2008, Birnbaum dhe Finkelstein punuan në fshehtësi zgjedhjen e Viktor Orbanit. Fitorja e tyre në Hungari, larg nga kontrolli intensiv politik i Europës Perëndimore tregoi se krijimi i një armiku të jashtëm mund të sillte sukses elektoral në epokën moderne. Kjo i lejoi Hungarisë të sillte në jetë  “Trumpin para Trumpit”, siç thoshte Steve Bannon.

Puna e Birnbaum dhe Finkelstein ka siguruar një model të ri për politikën e sulmit në këtë epokë të ndarjes globale. Ata hartuan një masterplan për të shfrytëzuar këto ndasi që kishin funksionuar në shumë vende dhe kontekste të ndryshme dhe ndihmuan në krijimin e një armiku hebre që ekstremi i djathtë e kishte shfrytëzuar me efekte shkatërruese.

Në vitin 2016, kur Trump prezantoi spotin e fundit televiziv përpara zgjedhjeve askush nuk u cudit që Sorosi u paraqit si një anëtar i “interesave të veçanta globale”, që nuk “kanë në mendje të mirën tuaj”.

Kryevepra elektorale e Finkelstein dhe Birnbaum u krijua në Hungari dhe do të kishte pasoja në mbarë botën. Nisi në vitin 2008, kur Orbán vendosi të kërkojë rizgjedhjen. Shoku i tij i vjetër Bibi, siç njihet Netanyahu  e prezantoi me dy personat që do të drejtonin suksesin e tij. S`kaloi shumë dhe Finkelstein dhe Birnbaum filluan të zbatonin formulën e tyre në fushatën zgjedhore të Orbán, duke e trazuar më pas atë.

Armiqtë ishin të thjeshtë për t’u gjetur në Hungari. Vendi kishte probleme ekonomike e iu desh të shpëtohej me dorëzani në 2008-tën. Masat shtrënguese u kërkuan nga kreditorët e tyre në Bankën Botërore, BE dhe FMN. Finkelstein dhe Birnbaum i thanë Orbán të synonte “burokratët” dhe “kapitalin e huaj”.

Orbán fitoi zgjedhjet e vitit 2010 me një shumicë prej dy të tretave ndërsa vendi u zhvendos në të djathtë. Birnbaum edhe sot është ende i habitur sesa e lehtë ishte: “E nxorrëm Partinë Socialiste jashtë loje që përpara zgjedhjeve”, thotë ai.

Armiku perfekt shkruan Buzzfeed është ai të cilin mund ta grushtosh vazhdimisht dhe nuk të kthehet. Fushata e Orbanit kundër Soros nuk përdori kurrë fjalën “hebre”, por e nënkuptonte. Orbán u tha njerëzve të tij se ata do të duhet të luftojnë kundër një “armiku” që ishte “i ndryshëm”, që nuk kishte “shtëpi”.

Ishte e zakonshme të shiheshin mbishkrime antisemitike në reklamat “Stop Soros”. Votuesit e dinin se për çfarë flitej.

Po në fund të fundit nuk mund ta sulmoj dikë sepse është hebre pyet Birnbaum. Kur u pyet nëse fushata e Sorosit në Hungari kishte nxitur antisemitizëm, Birnbaum pranoi se gjëja, “duket me të vërtetë keq”, por në atë kohë ishte vendimi i duhur për të shënjestruar Sorosin, është rrëfyer më vonë ai. Por a ka ndërruar mendje për fushatën e Soros? Ndonjë keqardhje? “Anti-semitizmi është diçka e përjetshme, e pashlyeshme”, tha Birnbaum. “Fushata jonë nuk e krijoi asnjë antisemit që nuk ishte më parë”. Ndoshta ne thjesht po vizatonim një objektiv të ri, jo më shumë. Do ta bëja përsëri”!.

©Copyright Gazeta SHQIP


Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.