CFO Pharma, Nadir Çausholli merret i pandehur për mashtrim dhe falsifikim 

Ditën e martë, administratori i kompanisë “CFO Pharma”, Nadir Çausholli është paraqitur në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku i është komunikuar akuza lidhur me mashtrimin që ai dhe kompania e tij bënin me ilaçin e quajtur “soludamin”.

Pamjet që po shihni janë dërguar në redaksinë e “Top Channel”, nëpërmjet seksionit “Ti Raporton”.  Në dokumentin që Top Channel disponon, prokurori i çështjes Kreshnik Ajazi ka vendosur që pas hetimeve të kryera të marrë të pandehur Nadir Çaushollin, duke e akuzuar për tre vepra penale: Mashtrim i kryer më shumë se një herë; Manipulim i tregut dhe Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve i kryer më shumë se një herë.  Ky skandal u hetua me mjaft profesionalizëm dhe u dërguar për në gjykatë nga prokurori Kreshnik Ajazi.

Hetimet lidhur me këtë mashtrim të “CFO Pharma”, nisëm pas investigimit të Top Channel, ku zbuloi se ilaçi i quajtur “Soludamin” ishte shitur 18 herë më shtrenjtë nga 74 lekë në 1300 lekë.



Pas denoncimit të Top Channel për këtë mashtrim, më datë 17 qershor të këtij viti Agjensia Kombëtare e Barnave, e gjobiti “CFO Pharma”, me rreth 56 milionë lekë vendim ky që erdhi pas inspektimeve që kjo agjenci bëri duke konstatuar se ilaçi ishte shitur 18 herë më shtrenjtë.

Nadir Çausholli, mashtrimin me ilaçin “Soludamin”, e ka cilësuar si një një gabim njerëzor dhe se pullat  ishin vendosur gabimisht nga punonjësi që bënte vendosjen e tyre mbi kuti.

Pjesë e hetimit të prokurorisë kanë qenë edhe katër farmaci, tre nga të cilat ishin furnizuar me Soludamin nga “CFO Pharma”. Po ashtu, është pyetur edhe një specialist pranë agjensisë kombëtare të barnave, i cili ka thënë se seria në kutitë e medikamentit “Soludamin”, nuk përputhej me serinë e pullës së lëshuar nga Agjensia e Barnave, duke konfirmuar kështu veprat penale që Nadir Çausholli dhe kompania e tij kanë kryer. Kjo nuk është e para çështje penale për Nadir Çaushollin.TCH

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.