A duhet të kërkojë ndjesë Ditmir Bushati, për kryebashkiakun me 3 emra?!

Nga Gazeta SHQIP

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka ngritur publikisht zërin kundër partisë së tij lidhur me debatin e përfshirjes së të fortëve në politikë.

Beteja e Bushatit filloi sapo Rama e shkarkoi si ministër të Jashtëm, ndërsa kulmin e shënoi pasi kryeministri i hoqi edhe postin politik në parti, si i deleguari i PS në Shkodër.

Por ndërsa Bushati flet për parime, për meritokraci, për filtra më të hollë të dekriminalizimit; paradoksalisht, kandidatët e përzgjedhur pikërisht nga ai, po bien një nga një, për shkak të shkuarës së tyre të dyshimtë.



PD denoncoi sot një tjetër kryebashkiak, i  cili është përzgjedhur direkt nga Ditmir Bushati. Bëhet fjalë për kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Mark Babanin, i cili sipas opozitës rezulton i dënuar dhe i dëbuar në Itali dhe Maqedoni. Akuzat ndaj kryebashkiakut, sigurisht që duhet të hetohen nga prokuroria, por ky denoncim e shkatërron kartën morale të ish-ministrit, i cili po valëvit prej ditësh flamurin e “shenjtorit” të Rilindjes

Më 15 maj, teksa e prezantonte para socialistëve, Bushati nuk e fshehu gëzimin për Babanin, ndërsa e vlerësonte për aftësitë e tij.

“Jam i gëzuar që ne sot në mbledhjen e zgjeruar të Asamblesë së Bashkisë së Vaut të Dejës zyrtarizuam kandidatin tonë për këtë bashki Mark Babanin, që është djalë i kësaj zonë. Një person mjaft i njohur për komunitetin dhe aftësitë e tij në sipërmarrje. Motivojmë gjithë ekipin tonë për një proces zgjedhor sa më të drejtë dhe të ndershëm dhe për një fitore për Babanin dhe PS”, deklaronte Bushati teksa prezantonte Babanin si kandidat nën siglën e PS.

Që Mark Babani ishte i përzgjedhuri i Bushatit në Vaun e Dejës, e konfirmon edhe vetë socialisti.

“Dua të falenderoj drejtuesin e politik të Qarkut Shkodër për mbëshetjen që më ka dhënë për të kandiduar për bashkinë e Vaut të Dejës”, tha Babani gjatë prezantimit të tij në Vaun e Dejës.

Kujtojmë se edhe Valdrin Pjetri, kryebashkiaku i zgjedhur i Shkodrës kishte mbështetjen e Ditmir Bushatit. Pjetri u tërhoq nga marrja e detyrës, pasi PD nxori dokumente autentike që provonin dënimin dhe dëbimin e tij nga Italia për trafik droge.

Prandaj, Ditmir Bushati nuk duhet të fshihet, por të kërkojë ndjesë për kandidatët e inkriminuar, që ai vetë i ka mbështetur. Madje, është momenti, që Bushati të shpjegojë se përse ai nuk e ka përmendur asnjë herë çështjen e dekriminalizimit, kur ishte Ministër i Jashtëm.

©Copyright Gazeta SHQIP


Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.