Petrit Kumi: Ja fotoja “perfekte” për Enver Hoxhën, prita 12 ditë

Dokumentari i gazetares Genta Popa Prodani, që u transmetua të dielën në mbrëmje në ciklin “Exclusive”, në Top Channel, i kushtohet fotografit të mirënjohur Petrit Kumi, i cili ka lënë gjurmë shumë të rëndësishme në historinë e fotografisë shqiptare para viteve 1990.

Fotografi i mirënjohur tregon për rrugëtimin e tij si fotograf, kontributin e tij të gjatë tek revista “Ylli”, bashkëpunimin e tij me intelektualët e shquar Ismail Kadare dhe Dhimitër Shuteriqi, si dhe për foton e fundit të Enver Hoxhës, kur gjendja e rënduar shëndetësore e diktatorit mbahej sekret për publikun.

Petrit Kumi, mjeshtri me një karrierë gjysmëshekullore në fotografinë e shtypit është sot i fundmi i një plejade fotografësh shqiptarë, që ruan ende emocionet dhe sfidat e një kohe tjetër të fotografisë, krejt e ndryshme nga kjo e sotmja. Atëherë asgjë nuk ishte digitale, e çastit. Përkundrazi, rezultati i shkrepjes së kërkuar vinte pas orësh të tëra pritje në dhomën e errët.

“Puna krijuese në dhomën e errët – kujton Petrit Kumi, zhvillimi i  negativëve dhe fotografisë nëpër bacinela do të mbetet për mua një kujtim i përhershëm gjatë gjithë karrieres sime në fotografi, një përvojë e jashtëzakonshme dhe e papërsëritshme, unike në llojin e vet.

“Kam qenë pjesë e atij grupi krijuesish te fotografise shqiptare qe i dha jete artit fotografik ne ato vite duke e zhvilluar ate brenda mundesive qe kishim. Nepermjet kesaj pervoje jam njohur me fotografine e vertete si shkence dhe si art“ thotë Kumi.

Mbi  të gjitha – shton ai, ishte koha kur arti i fotografisë ashtu si dhe të gjitha artet e tjera në vend, zhvillohej krejt ne kushtet e një lirie të cunguar, që kufizonte frymëzimet e bukura dhe të natyrshme të shpirtrave të lirë artistikë,  për t‘i ndrydhur ato në thellësitë më të mëdha të ndërgjegjes, për një kohë të gjatë. Aq sa jeta e një njeriu  të mos mjaftojë për t‘i rinxjerrë më prej andej.

 

Mjeshtri Petrit Kumi nuk e harron se, kur e morën për herë të fundit për të fotografuar Enver Hoxhen, ka pritur 12 -13 ditë aty, në atë dhomën që kishte krijuar për realizimin e fotos. “Mesa duket ai refuzonte ose ishte i pamundur nga pikëpamja shëndetësore. Të shtëpisë më thonin, ja tani do e bëjmë, e kur shkonte ora dy më thonin, hajde nesër. E kështu shkoi dita-ditës. Kur erdhi ajo ditë, dita e 12. Ai erdhi u ul aty, e ishte shumë i kontraktuar. Bëra shumë shkrepje por vetëm e para ishte më e pranueshme. Eshtë ajo që është botuar në revistë” – rrëfen Kumi.

 Duke iu referuar periudhes qe ai fotografoi në disa dekada, Petrit Kumi e di se kishte plot anë të tjera të realitetit shqiptar, të cilat ai nuk mund t’i fotografonte, pasi siç thote Kumi, kjo binte ndesh me politikën e kohës.

“Psh, unë nuk kam fotografi në radhët e njerëzve që prisnin të merrnin vajguri, apo të atyre që mbanin radhë për të marrë bukën, nuk kisha interes të nxirrja shishet e qumështit apo radhët e mëdha. Kjo binte në kundërshti edhe me idetë e partisë, e ja ku del politizimi dhe mund të gjobiteshe” – tregon artisti i fotografive të kohës.

Ndaj dhe shumëçka që lidhet me anët më të errëta të një realiteti të dukshëm e të padukshëm të asaj kohe, do të mbetet e fiksuar vetëm në memorien e disa brezave, që u privuan të dëshmojne lirisht kohën e tyre, me të gjitha anët e saj.

©Copyright Gazeta SHQIP

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.