Haradinaj nominohet për kryeministër: Kosova nuk ndahet, do ta mbrojmë me jetë!

Zyrtarisht sot është shpallur kandidatura e Ramush Haradinajt për kryeministër të Kosovës, për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 6 tetor.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate, të cilat janë në koalicion parazgjedhor, përveç nominimit të Haradinajt, kanë prezantuar edhe 110 kandidatët për deputet të Kuvendit. Aty, Ramush Haradinaj tha se do t’i mbrojnë kufijtë e Kosovës nëse është e nevojshme edhe me jetë.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se nuk do të lejojnë ndarjen e Kosovës, as në tavolinën e bisedimeve, e as në forma të tjera.



“Kur ne ishim duke mbrojtur pragun e shtëpisë sonë atëherë, që ishte edhe pragu i jetës sonë, NATO e primë nga Amerika na ndihmoi, u jemi përjetë mirënjohës. Por kush është shtëpia jonë sot, shtëpia jonë e gjithë neve që jetojmë në Kosovë, edhe e komuniteteve, është Kosova, kush është pragu i shtëpisë sonë sot, prahu i shtëpisë sonë është kufiri, është Kushtetuta, është deklarata e Pavarësisë, është vendimi i GJND-së, dhe ne e kemi mbrojtur dhe do e mbrojmë edhe sot, do ta mbrojmë gjithnjë pragun e shtëpisë, Kosovën. Kosova nuk ka me u nda, as në tavolinë, as pas shpine, as në front, do ta mbrojmë Kosovën, qoftë edhe me jetë”, tha ai.

Ai edhe njëherë tha se populli i Kosovës, është zot shtëpie.

Para simpatizantëve të AAK-së dhe PSD-së, Haradinaj tha se Kosova nuk duhet të kthehet prapa duke u mashtruar nga oponentë, që sipas tij në kohë fushate i mashtrojnë qytetarët për t’u marrë votën.

“Pse me u kthy prapa, pse mos me ecë përpara, a e dini se kthehet prapa Kosova nëse Kosova i jep përkrahje ose mashtrohet prej oponentëve tanë, të cilët janë po të njëjtit veç në kohë të zgjedhjeve ndryshojnë, sepse ata janë të njëjtit, i njohim i kemi parë, por në kohë të zgjedhjeve bëhen engjuj për me marrë votën e qytetarëve tanë, pastaj vazhdojnë me të vjetrën, sepse ata vetëm me të vjetrën dinë me punu”, tha ai.

Ai tha se në listën për deputetë kanë futur njerëz me përkushtim dhe që do të rrisin punësimin në Kosovë.

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.