Ju nuk jeni Perikli Çuli, por Tanush Topia!

“…Ju nuk jeni Perikli Çuli, por Tanush Topia…”. Kështu do të shprehej poeti Lasgush Poradeci, teksa shihte veprën e realizuar nga skulptori Perikli Çuli vite më parë. Më shumë se gjysmë shekulli krijimtari, një nga protagonistët e rëndësishëm të historisë së skulpturës shqiptare, Perikli Çuli vjen në një ekspozitë personale në Muzeun Historik Kombëtar, për të treguar 60 vjet krijimtari.

“Universi” quhet ekspozita që do të sjell vepra të përzgjedhura nga ky rrugëtim i gjatë, për të treguar ndjeshmërinë e një artisti që i është dashur të jetojë Shqipërinë e dy kohëve, duke e reflektuar atë në veprat që ka krijuar. Ekspozita shoqërohet me një katalog, i cili hapet me veprën “Ëndërr dashurie” realizuar më 1988, ku në trupat e dy të dashuruarve mund të lexosh kohën. Universi i veprave të realizuara nga artisti është i gjerë, në të mund të gjesh vepra monumentale të lidhura fort me historinë e vendit.



Një prej tyre është dhe më e dashura për kritikët, “Tanush Topia”. “Artisti që gdhend një vepër të qëndrueshme, e cila të thërret ta shikosh përsëri, të vendosësh marrëdhënie me të, nuk ka krijuar vetëm veprën e artit,. Por edhe vetveten, pra tiparet e atij personaliteti të cilat janë mishëruar në formë e në përmbajtje, si mendësi dhe si emocion, si intelekt dhe si profesionalitet, po edhe si realizim, si perspektivë, si njohje e si reflektim. Të gjitha këto i gjejmë të sintetizuara në portretin e Tanush Topisë, vepër që këtë vit shënon tridhjetë vjetorin e ekzistencës së saj publike”, shkruan për këtë vepër, studiuesi i artit Dhimo Gogollari. Skulptori e realizoi në vitin 1967, me kërkesë të Muzeut Historik të Krujës, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Sipas vetë autorit, ai filloi nga puna duke studiuar historinë e asaj periudhe dhe personalitetin e luftëtarit. “Dëshiroja të krijoja diçka të bukur, të qëndrueshme, diçka që lidhej me shpirtin”, shprehej ai.

”Skulptori Perikli Çuli, profesor pranë Akadamisë së Arteve të Bukura në Tiranë paraqet një sintezë shumë interesante të shprehjes së tij artistike. Punimet në mermer të ekspozuara në Muzeun e njohur Mediceo në Toskanë, tregojnë në mënyrë bindëse se me çfarë përkushtimi e dashurie i ka impenjuar autori bindjet e tij estetike, për të dhënë emocione nëpërmjet kërkimeve skulpturore, që paraqesin interes të veçantë drejt një arti ku zotërohet fantazia, plastika, konsekuenca drejt formimit që është pjesë përbërëse e “unit artistik” të këtij individualiteti.

Të bëjnë përshtypje të veçantë kërkimet e plastikave në mermer të bardhë e gri e alabastër me forma të plota dhe silueta të qarta ku nëpërmjet një kërkimi rrethor në to ndjen edhe gjurmë  monumentale, brenda së cilës këmbëngul për më tepër se një mesazh pritjeje, kërkimi artistik, ku pamje e qetësisë kryesore për të është besimi në sigurimin e së bukurës”, shkruante prof. Adriatik Kallulli më 1995-sën. Një tjetër vepër e njohur e tij është “Toka jonë”, e cila më 31 korrik 1969, u vendos e qytetin e Lushnjës.  Perikli Çuli është i njohur edhe në vepra të tjera të tij për prirjen për t’i shoqërizuar siluetat e figurave.

Skulptura e Perikli Culit është e ndjeshme dhe e fortë. Ajo është përfaqësuesja më e mirë e rrugëtimit të këtij arti në Shqipëri. Ekspozita hapet sot më 3 shtator në Muzeun Historik Kombëtar, e do të vijojë e hapur për publikun deri më 17 shtator./Copyright Gazeta Shqip


Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.