Udhëtimi me Çehovin i Ema Andreas

“4 akte Çehoviane, janë udhëtimi i një jete, i një shoqërie!”. Kështu shprehet aktorja Ema Andrea, pas suksesit të veprës “Kopshti i qershive”, një prej pjesëve më të bukura të Çehovit, që u ngjit në skenën e Teatrit të Korçës, këtë fundjavë ,nën regjinë e Dino Mustafiç. Për ata që bëjnë dramaturgji bashkëkohore, ndjeshmëria Çehoviane është gjithnjë në mode. Nën koreografinë e Gjergj Prevazit, muzikën e Endrri Sinës,skenografinë e Dragutin Broz, në këtë vepër interpretuan aktorët Ema Andrea, Gert Ferra, Sotiraq Bratko, Paola Kodra, Lola Meta, Kristian Koroveshi, Zamira Kita, Guri Koço, Blerta Belliu, Silvio Goskova, Jozef Shiroka, Ligoraq Riza dhe Franc Bregu.



Vepra tregon se si Ljubova Andreievna Ranevskaya me të bijën Anja dhe guvernantia Sharlota kthehen nga Parisi në një provincë ruse, në një gjendje jo të mirë financiare. Duan të shesin kopshtin e qershive, me të cilin i lidhin shumë kujtime. Ranevskaya është një aristokrate e rënë nga vakti, që ende nuk e pranon dot fatin e saj dhe të shtresës, që përfaqëson. Në një situatë të tillë, në një mbrëmje si shumë të tjera “në tisin e vetëpërkundjes” të njeriut të mësuar me një lloj jete prej së cilës nuk shkëputet dot, më 22 gusht mësojnë se prona e tyre është shitur. Tronditja lidhet për më tepër me emrin e pronarit të ri, Llopahini, një tregtar përfaqësues i shtresës së mesme të shoqërisë, (dikur i ati i tij ‘muzhik’ kishte shërbyer në familjen Ranevskaya), që e blen kopshtin për t’i vënë sëpatën pemëve të qershive.

Regjisori Dino Mustafic i njohur për stilin e tij regjisorial, solli një Anton Çehov të ndjeshëm e befasues, nën lojën e aktorëve që e dhanë më së miri shpirtin e kësaj vepre. Pjesa do vijojë të ngjitet në skenën e Teatrit të Korcës dhe gjatë fundjavave në vazhdim.

Anton Çehov, 29 janar 1860-15 korrik 1904) ishte fizikant, dramaturg dhe autor rus i cili konsiderohet ndër shkrimtarët më të mëdhenj i tregimeve të shkurtra. Bashkë me Henrik Ibsen dhe August Strindberg, Çehovi referohet si një nga tri figurat themelore në lindjen e hershme të modernizmit në teatër./Copyright Gazeta SHQIP


Comments are closed.