Stresi, zemra, shtylla kurrizore/Ja “sëmundjet”që po prekin sipërmarrësit shqiptarë dhe…

Dobësimi i shikimit, problemet me shtyllën kurrizore, mungesa e kohës për socializim, stres dhe ankth, deri te komplikimet në zemër. Këto janë disa prej rreziqeve që u kanosen profesionistëve në fusha të ndryshme, ose sipërmarrësve. Ekspertët e fushave përkatëse bëjnë thirrje për balancimin e jetës profesionale me atë personale, si dhe të formave për të reduktuar stresin e ankthin në rritje…

Të ulesh para një kompjuteri për gjithë ditën mund të jetë e rrezikshme për shëndetin tuaj. Dhembjet në shpinë, sytë e skuqur dhe problemet me gjumin mund të jenë pasoja të një mjedisi pune me nivel stresi në rritje apo edhe e jetës sedentare. Më keq akoma, niveli i stresit shkon deri në ankth, apo në probleme me zemrën. Të gjitha këto, kanë një emërues të përbashkët: puna! Qoftë kjo biznesi që drejton apo një punë ku je i kontraktuar.

Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka shpallur ‘sëmundjet profesionale’ si problematike kudo në botë; ato nisin nga problemet me sytë, shtyllën kurrizore dhe deri te sëmundjet që vijnë nga sektorë të cilën konsiderohen të rrezikshëm, si për shembull minierat.
Mjekja okuliste, Stela Ceca, shprehet për “Monitor”, se nga përvoja e saj profesionale ka parë jo rrallëherë persona që vuanin nga Sidroma Vizive nga Kompjuteri dhe nga sforcimi i syrit, duke mos marrë për bazë këshillat e duhura për shmangien e tyre.



Ajo shton se rreth 50-90% e njerëzve në kontakt me kompjuterin (kryesisht për punë) vuajnë nga shkallë të ndryshme të kësaj sindrome, statistikë kjo për të gjithë botën, përfshirë edhe vendin tonë. Dr. Ceca thotë se shpesh, probleme të tilla shkaktojnë uljen e produktivitetit në punë, kënaqësinë e të punuarit dhe performancën e përgjithshme në karrierë.

Specialistët e fushës së psikologjisë dhe të shëndetit mendor pohojnë se orari i zgjatur dhe koha e pamjaftueshme për të pushuar dhe për të rikuperuar energjitë, bëjnë që punonjësi të mos jetë efektiv dhe me kalimin e kohës, të jetë i stresuar dhe i lodhur. Specialistja e psikologjisë, prof. dr. Arjana Muçaj, pohon se pushimi me intervale të shkurtra, gjatë orarit të punës, është i nevojshëm, për të shmangur atë lloj lodhjeje që të shkakton stresin në një ambient pune. Sa i përket faktit se si mund të shmangim cenimin psikologjik nga puna e tepërt apo edhe thjesht stresi i shkaktuar, znj. Muçaj thotë se planifikimi dhe ndjekja e një programi të qartë, që do të shpërndajë punën në mënyrë të njëtrajtshme, eliminon “rraskapitjen” psikologjike.

Specialistët e fushës së psikologjisë shtojnë se, edhe zhvillimi teknologjik ka ndikimin e tij në të gjithë sferat profesionale apo biznese. Njerëzit janë shumë më në kontakt me një formë teknologjie apo tjetër, profesione të ndryshme si programues dhe zhvillues, ekspertët fiskalë dhe kontabilistët, kalojnë një kohë të gjatë para kompjuterit.

Mjekja okuliste Stela Ceca pohon se, në ditët e sotme, flitet për një fenomen i cili quhet mirëfilli “sindroma e kompjuterit”, që sipas saj përfshin një sërë problemesh të syve si rezultat i qëndrimit për një kohë të gjatë para kompjuterit, tabletit dhe telefonit. “Shumë individë që përdorin kompjuterin për një kohë të gjatë për shkak të punës së tyre ndiejnë lodhje të syve dhe shqetësime të ndryshme që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me kohëzgjatjen e përdorimit të pajisjeve elektronike”, – thotë znj. Ceca.

E pyetur mbi efektet e punës me orare të zgjatura, mjekja okuliste thotë se simptomat më të shpeshta që lidhen me Sindromën e Kompjuterit janë: dhimbje të syve, dhimbje koke, shikim i turbullt, ndjesi e syrit të thatë, dhimbje qafe dhe të shpatullave. Këto shqetësime mund të shkaktohen nga drita e dobët e mjedisit, ose ndriçimi i tepërt i ekraneve të pajisjeve dixhitale, distanca jo e përshtatshme e shikimit, mbajtja siç duhet e shpinës gjatë punës, defekte të refraksionit të pakorrigjuara më parë ose një ndërthurje e gjithë këtyre faktorëve së bashku.

“Shfaqja e simptomave varet nga kapaciteti i syve të gjithsecilit për të përballuar punën para kompjuterit dhe kohëzgjatja e qëndrimit përpara pajisjeve elektronike. Për të ulur sa më shumë këto efekte negative është e nevojshme të çlodhni sytë vazhdimisht sipas rregullit 20-20-20 që nënkupton çdo 20 minuta pune, 20 sekonda pushim duke parë 20 këmbë larg.

Po ashtu, probleme të refraksionit të pakorrigjuara si miopia, astigmatizmi dhe hipermetropia ose probleme të shfaqura nga mosha, si presbiopia, si edhe probleme të koordinimit të syve mund të jenë shkaktarë të shfaqjes më të hershme të problemeve. Të tjerë hapa që mund të ndërmarrim janë kontrolli i dritës së mjedisit, duke punuar sa më shumë në dritë natyrale dhe duke ulur ndriçimin e ekranit të pajisjeve elektronike. Në rast se këto pajisje përdoren gjatë, e mira është të mbrohen sytë duke përdorur xhama mbrojtës nga drita blu. Po ashtu pulitja e syve apo përdorimi i lotëve artificialë ndihmon në pakësimin e shqetësimeve të lidhura nga thatësia e syve.”-këshillon znj. Ceca.

Rraskapitje psikologjike

Sipas statistikave shkencore, stresi në punë favorizon manifestimet klinike të sëmundjeve koronare kardiovaskulare, duke vepruar si një faktor i lartë rreziku për to. Specialistët e fushës psikologjike në Klinikën Venis në kryeqytet thonë se stresi për një kohë të gjatë në punë me kalimin e kohës shndërrohet në një gjendje konsumimi fizik e mendor (që në literaturë quhet “Burnout”), i cili ka pasoja shumë të rënda për individët.

“Njerëzit po e humbasin entuziazmin dhe po shfaqin tendencën e një qëndrimi negativ ndaj punës në përgjithësi për shkak të fenomenit të ‘drejtuesve militantë’, që fatkeqësisht në më të shumtat e rasteve janë joprofesionalë, me një kulturë të munguar si atë të përgjithshme por edhe të stileve të ngurta të komunikimit profesional, të patrajnuar mirë, shumë prepotentë dhe cinikë. Ky stres i vazhdueshëm shkakton përveç rënies së dukshme të produktivitetit, edhe një ndjesi të përgjithshme të pesimizmit e mungesës së shpresës për ndryshime pozitive, që çon pa kuptuar herët a vonë drejt depresionit. Dihen efektet shkatërruese të depresioneve”, – pohojnë mjekët.

Specialistët bëjnë me “faj” edhe drejtuesit në punë. Sipas tyre, njerëzit për të cilët puna dhe drejtuesit prepotentë e të paaftë ju janë shndërruar në burim ankthi fillimisht nisin zgjasin “kohën e kafesë”, duke e shtyrë për më vonë punën e ditës, ndihen të mërzitur, bëhen nervozë, manifestojnë shenja somatike të ankthit, të cilat kanë ndikim negativ në jetën familjare dhe personale dhe shoqërohen gjithnjë me një ndjenjë të lodhjes kronike. Disa të tjerë, pavarësisht nga përvoja dhe aftësitë e tyre shumë të mira profesionale, arrijnë deri aty sa të dyshojnë seriozisht në aftësitë e tyre të spikatura, duke u shndërruar në “robotë” që mezi presin të mbyllin ditën e punës për t’u tërhequr në vetminë e tyre.
“Mungesa e vazhdueshme e motivimit, ndonjëherë shoqërohet edhe me orët e zgjatura të punës për të kompensuar kohën e kafesë ose të rendimentit edhe si pasojë e mungesës së tyre përqendrimit.

Këto gjendje shoqërohen shpeshherë me simptoma trupore si dhembje koke, dhembje qafe, rëndim prapa kokës, luhatje emocionale, rishfaqje e beftë e ankthit, shtrëngime në zemër, rrahje të shpejta të zemrës, probleme me frymëmarrjen etj. Në praktikën klinike, jo rrallëherë na takon të shohim individë ekstremisht të dëshpëruar dhe të demoralizuar për të ardhmen e tyre dhe të familjes, të cilët shprehen se e kanë të pamundur të kontrollojnë jetën e tyre dhe të marrin vendime, në një mjedis mbytës pune”, – pohojnë mjekët./Monitor


Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.