Të shkruash biografinë e Virginia Wolf si ta shkruante vetë ajo

Edhe pse një shkrimtare e fillimit të shekullit XX, anglezja Virginia Woolf mbetet një shkrimtare e parapëlqyer në lexuesin e sotëm botëror për etydet e saj mbi botën njerëzore, hapësirën, kohën, mbresat e përjetimit të një jete, çka ajo i ka përshkruar në romanet më të njohrua të saj si «Mrs. Dalloway», «Orlando», «Shtëpia e Jacob», apo «Dallgët». Pëlqehet siç pëlqejmë të shohim tablotë e mrekullueshme të një Monet apo Renoir, impresione mbi natyrën dhe shoqërinë. Të lexosh sot Woolf është si të shohësh gjatë tablo të tilla impresionesh, ku natyra ndryshon, personazhet hyjnë e dalin, bisedojnë, bijen në dashuri, ap vuajnë në vetminë e tyre apo bien në depresion të thellë, ku natyra ndryshon dhe pemët fëshfërijnë apo shkunden fort nga erërat. Dhe kështu gjithnjë, ne kemi dëshirë të njohim jetën e kësaj gruaje, e kësaj shkrimtareje të madhe që menjëherë na kujton gjithashtu dhe Prustin me impresionet e tij dhe vështrimet ndaj botës, kohës dikur, «kërkimit të kohës së humbur»…


Libri «Virginia», kjo biografi e re është shkruar nga shkrimtarja franceze Emmanuelle Favier, nga e cila lexuesi shqiptar ka patur në duar romanin e parë të saj «Kurajo që u duhet lumenjve», roman i vlerësuar me disa çmime në Francë dhe që u botua në Shqipëri një vit me parë nga ALBAS, përkthyer nga Rina Cela Grasset. Tashmë, biografia e saj rreth Woolf, sapo është botuar nga shtëpia prestigjioze franceze «Albin Michel» (që ka botuar dekada më parë «Gjeneralin e shtëpisë së vdekur»), duke na zbuluar vetëm fëmijërinë dhe rininë e saj, pasi pikërisht në këtë fëmijëri dhe rini ndodhin shumë ngjarje që do të përcaktojnë më pas udhën e saj letrare si dhe atë personale, periudhë e mbushur me ngjarje dramatike, kur 13 vjeçare, asaj i vdes e ëma, Julia, dhe dy vjet më vonë, një nga motrat, Stella, kohë kur do të provojë depresionin e parë. Në 1904 i vdes i ati, Leslie Stephen, njeri i letërsisë dhe i filozofisë që padyshim i kultivoi asaj shijen e letërsisë dhe të meditimit mbi njeriun dhe botën. Por dy vjet pas kësaj vdekje, i vdes nga tifo dhe një vëlla, Thoby. Nga një anë, janë gjithë këto vdekje që e bëjnë natyrën e saj të brishtë, plot thyerje, ngarkuar nga ngjarje me shijen e zisë dhe të vdekjes dhe nga ana tjetër, kjo jetë dramatike ndikoi në jetën personale të saj gjer ditën kur do të vdiste edhe vetë në vitin 1941, në moshën 59 vjeçare, duke shkuar për tu mbytur në lumin Ouse në Rodmell të Anglisë.
Librat biografikë sot janë në modë. Njerëzit, lexuesi i gjerë që ka lexuar veprat e shkrimtarëve, ka dëshirë të lexojë mbi jetën e tyre, pasi jeta dhe krijimi janë tepër të lidhura me njëra-tjetrën, ashtu siç ishin tek Balzac, Hugo, Oscar Wild, Maupassant që shkroi “La Horla” në kohën e dëlirit e të tjerë. Veprat janë si klithma të mëdha apo ngazëllime të mëdha. Ndryshe nga biografë të tjerë, Stefan Cvajg ka qenë një nga biografët më të njohur, i cili biografitë e shumta që ka shkruar, i shkruante si letërsi, duke respektuar padyshim historinë e vëtetë të figurave historike. Edhe Favier, ka shkruar një biografi si letërsi historike, duke ecur kështu në gjurmët e Cvajg, por megjithatë, ndryshe nga ai, në një mënyrë origjinale, ndoshta ngaqë kjo shkrimtare, Virginia Woolf është e përzgjedhura e saj në letërsi, siç është për të Rimbaud në fushën e poezisë, pasi Favier është gjithashtu poete dhe Rimbaud ishte disertacioni i saj universitar. Duke shkruar këtë biografi, Favier ka përjetuar në të njëjtën botë të Wolf, thua se është identifikuar në të, sikur është e pranishme në fazat e ndryshme të fëmijërisë dhe rinisë së saj, të vuajtjeve, apo dashurive të para, si dhe një dashurie homoseksuale. Jeta e Woolf jepet përmes shkrimit të tablove, pra ashtu siç e shkruan Wolf letërsinë e saj, përmes copëzash, sigurisht të përshkruara gjatë, përmes tablosh, episode me ngjarje vendosur në një atmosferë të përcaktuar bukur dhe me shumë kolorit. Padyshim në gjithë këtë ka një lidhje të fuqishme. Ndryshe nga Cvajg, i cili është si një lloj naratori i jashtëm, ajo është brenda jetës së saj, është mes protagonistëve, vuan me Virginia-n, dashuron si ajo. E kur mbaron librin lexuesi pyet: përse vallë të mos kishte vazhduar ky tregim i jetës së saj? Sigurisht, për Woolf janë shkruar shumë biografi, veçanërisht nga anglezët dhe amerikanët, por dhe nga francezët. Shumë gjëra janë thënë. Por duke lexuar këtë biografi, për mënyrën që është shkruar, na nxitet dëshira që të lexonim dhe vazhdimin e asaj jete tronditëse, dhe kjo sepse, duke shkruar, Favier është kthyer si të thuash në një dubël, apo një sozi e saj. Ajo që shton Favier në këtë biografi është dhe një vendosje e këtij personazhi në ecurinë dhe ngjarjet e kohës që s’kanë lidhje me të, por që dëshmojnë për ngjarjet e mëdha të kohës, zhvillimet e mëdha shoqërore e politike, ngjarjet tronditës apo personazhe të ngjashme paralele me kohën e saj, siç ndodh kur jep informacione për skulptoren Camille Clodel apo personazhe të tjera botërore. Dikur, kur Wolf kishte krijuar statusin e saj si një shkrimtare e përkorë, në shkrimin “Arti i biografisë”, pohonte ndër të tjera se “në shumicën e tyre, biografitë viktoriane u ngjajnë figurave prej dylli që ruhen në abacinë e Westminter, të cilat i nxjerrin nëpër rrugë gjatë kortezheve funebre…” E pra Favier ka dashur të bëjë pikërisht atë që kishte dëshirë Wolf dhe e ka bërë me sukses. Dhe padyshim, “Ditaret” e shumta të Wolf, (tetë volume) mbase e kanë nxitur tashmë ta vazhdojë këtë aventurë të bukur nën imazhin apo siç thonë aktorët, nën“lëkurën” e Wolf.


Libri për Virginia Woolf, do të jetë i pari që do të lexohet në shqip para gjuhëve të tjera të mëdha, në sajë të përkthimit të Rina-Cela Grasset, libër i cili do të botohet së shpejti po nga Albas. E sigurisht, me këtë rast, Emmanuelle-n do ta kemi midis nesh në Tirane dhe në malet shqiptare për të cilat ajo ruan kujtime të pashlyeshme.
Luan Rama/ Copyright Gazeta SHQIP

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.