Prapaskenat/ Shtyhen transmetimet analoge. Kë interes mbron AMA, të qytetarëve apo të biznesit?!

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) njoftoi sot se ka shtyrë afatin e transmetimeve analoge edhe për 30 ditë, nga data 1 shtator që ishte parashikuar për mbylljen e sinjalit televiziv për Tiranën, Durrësin dhe Vlorën.

Në një deklaratë për mediat, AMA tentoi ta shiste këtë akt si një nevojë e shumicës së shqiptarëve, të cilët ende nuk kanë blerë një dekoder për transmetimet digjitale. Drejtori i AMA thotë se ka kryer një sondazh të cilin ende nuk e ka bërë publik dhe kush janë kampionët e përzgjedhur.



Në fakt, AMA dhe Drejtori i saj e kanë shtyrë disa herë këtë afat me këtë argument. Fillimisht në vitin 2007, Shqipëria ratifikoi marrëveshjen e Gjenevës për digjitalizimin e frekuencave televizive.

Më pas në maj të vitit 2012, qeveria e Partisë Demokratike miratoi Strategjinë Kombëtare të Digjitalizimit, ku përcaktoi me ligj se pas qershorit 2015 asnjë televizion shqiptar nuk do të mund të transmetonte më në analog, por të gjitha duhet të kalonin në teknologjinë digjitale.

Pra, kanë kaluar plot 12 vjet dhe kjo gjë nuk ka ndodhur deri tani, ndërkohë që Shqipëria është i vetmi shtet në Europë që transmeton me sinjal analog. Shtyrja e fundit për këtë proces të rëndësishëm, ishte në 11 Janar 2019, dhe u la rreth 9 muaj kohë që qytetarët të blejnë dekoderat për sinjalin e ri televiz që niste në 1 shtator 2019.

Por, kur të gjithë qytetarët ishin drejtuar në operatorë të ndryshëm për blerjen e dekoderave, AMA dhe Drejtori i saj Gent Sala, merr vendimin e papritur për shtyrjen me 30 ditë të afatit të ndërprerjes së sinjalit.

Në fakt kjo shtyrje nuk ka të bëj me interesin publik, pasi qytetarët shqiptarë do të blejnë të njëtin numër dekoderash nëse sinjali mbyllet sot, para 6 muajsh apo pas 1 viti. Ndryshimi i sinjalit është një detyrim ndërkombëtar që lidhet ngushtësisht me procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Dhe herët ose vonë ky proces i kalimit nga analog në digjital do të ndodh.

Por, shqetësimi i AMA-s, është tek mbrojtja e një operatorit televiziv në treg, që sëfundmi është nxjerr jashtë DIGITALB dhe ka humbur plot 300 mijë abonentë në ditë. Pra, Drejtori i AMA-s me këtë lëvizje, po i jep mundësi këtij televizioni që ta ndjekin edhe për 1 muaj me antenë të thjeshtë.

Duket qartazi se AMA është rreshtuar në krah të biznesit dhe jo qytetarëve. Në vijim do të japim disa prova interesante sesi drejtuesit e saj kanë kryer takime, marrëveshje dhe afera të ndryshme me biznesin.

©Copyright Gazeta SHQIP


©Copyright Gazeta SHQIP



Comments are closed.