Legjenda e Operës pritet me ovacione, duartrokitje për Domingon pas akuzave për ngacmime seksuale

Legjenda e operës, Placido Domingo u prit me duartrokitje dhe ovacione gjatë festivalit të Salzburgut, shfaqja e tij e parë pas akuzave për ngacmim seksual të grave.

“Triumfi në Salzburg, duartrokitje dhe ovacione duke qëndruar në këmbë për Domingon, pavarësisht akuzave të lëvizjes Me Too”, ishte titulli në të përditshmen rajonale Kleine Zeitung, pas performancës së tij në operën Giuseppe Verdi Luisa Miller në festivalin vjetor të muzikës dhe dramës në Austri.

Sipas raportimeve, Domingo mori një duartrokitje vetëm në fillimin e shfaqjes, dhe pastaj një tjetër me kolegët e tij në fund.



Tetë këngëtarë dhe një kërcimtare i thanë Associated Press në fillim të këtij muaji se ata ishin ngacmuar seksualisht nga Domingo, incidente që datojnë nga vitet ’80.

Në raportin e AP, disa gra – njëra prej të cilave u identifikua – akuzuan Domingon për përdorimin e pozitës së tij, si një nga këngëtarët më të famshëm të operës, për t’u bërë presion për marrëdhënie seksuale, shkruan Gazeta SHQIP.

Në një deklaratë, Domingo tha se pretendimet “janë thellësisht shqetësuese, dhe të pasakta”.

Opera e Los Anxhelosit, ku Domingo është drejtor, ka hapur një hetim mbi “pretendimet”.

Pas pretendimeve, Shoqata e Orkestrës Filadelfia tërhoqi ftesën e saj për Domingon për t’u paraqitur në koncertin e natës së hapjes më 18 shtator.

Domingo i lindur në Madrid është një nga tenorët më të njohur të shekullit të 20-të, bashkë me Luciano Pavarotti dhe José Carreras.

Ai ka bërë më shumë se 100 albume dhe ka marrë 14 çmime Grammy. Në fillim të këtij viti, ai festoi performancën e tij të 4000 në një karrierë që zgjat 60 vjet.

Gazeta SHQIP


Comments are closed.