Asetet kriminale do shiten direkt, ja si do veprohet nëse “të fortët” fitojnë në gjykatë (DOKUMENTI)

Grupeve kriminale, apo shkelësve të tjerë të ligjit, organet ligjzbatuese në momentin e kryerjes së krimit u sekuestrohen prova të ndryshme, të vlefshme për hetimin. Mes tyre edhe pasuri të paluajtshme.

Por janë disa pasuri, të cilat amortizohen me kalimin e kohës apo u bie vlera shpejt. Ndaj për to është marrë vendimi të shiten që në fazën e sekuestrimit, duke mos pritur vendimin e formës së prerë të konfiskimit nga gjykata.



Kjo është kompetenca më e re që i është shtuar Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, e cila përmes një VKM-je merr tashmë edhe këtë përgjegjësi.

Të ardhurat që do të krijohen do të “ngrijnë” në një llogari të veçantë bankare. Në rast se prona e luajtshme do t’i kthehet pronarit të ligjshëm, ai do të përfitojë vlerën e shitjes, por kur Gjykata do të miratojë konfiskimin të ardhurat do të kalojë në buxhetin e shtetit.

Nisma është marrë pas ngarkesës që është krijuar me automjetet dhe motorët e sekuestruar, të cilët qëndrojnë në pikat e bllokimit apo dhe në komisariate.

Ky problem që ekziston prej shumë vitesh, siç duket do zgjidhet me miratimin e projektligjit “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”. Kështu për të mos humbur vlerën dhe për të minimizuar koston e një kompensimi të mundshëm që vjen nga amortizimi e tyre, makinat do të shiten ose do vihen në funksion të institucioneve ligjzbatuese, si policia, prokuroria, gjykata dhe të tjera.

Për realizimin e këtij procesi, fillimisht vendoset ngrirja dhe kthimi apo në buxhet të shtetit në varësi të vendimit të gjykatës. Sipas draftit që është miratuar tashmë dhe në shtator merr fuqi të plotë ligjore, shitja e parakohshme e këtyre pasurive të sekuestruara do të sillte një përfitim për të gjithë, pasi jo vetëm ruhet vlera momentale e pasurisë së luajtshme (autoveturë, pajisje teknologjike dhe IT, gjë e gjallë, etj), vlerë e cila do të humbte fare, në qoftë se këto pasuri do të mbaheshin deri në përfundim të afateve procedurale gjyqësore, por edhe shkurton ndjeshëm shpenzimet e Agjencisë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tyre.

Me miratimin e projektligjit “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”, synohet krijimi i një regjistri të veçantë ku përfshihen edhe pronat e paluajtshme që sekuestrohen të krijuara nga krimi i organizuar.

Ky institucion që deri më sot ka funksionuar me anë të VKM-ve dhe në varësi të Ministrisë së Financave, do të realizojë dhe menaxhimin e pronave, si shitjen apo dhënien me qira të pronave të paluajtshme, të cilat sekuestrohen me vendim gjykate.

Agjencia gjithashtu do të merret me pasuritë e sekuestruara e të konfiskuara me vendim të gjykatës kompetente, sipas përcaktimeve të ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”;  pasuritë e bllokuara e të sekuestruara “Për masat kundër financimit të terrorizmit”; si dhe pasuritë, për të cilat është vendosur masa e sekuestrimit preventiv, sipas kreut VI, të Kodit të Procedurës Penale, dhe ato të konfiskuara me vendim të gjykatës kompetente sipas nenit 36, të Kodit Penal, të cilat janë produkt i veprave penale apo të lidhura me to.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2019 u sekuestruan 145 pasuri të paluajtshme, ndërsa në total sipas shifrave zyrtare janë sekuestruar 32 milionë euro pasuri. Për vitin 2018 kanë qenë 354 pasuri të sekuestruara, ku 62 kaluan në varësi të shtetit, ndërsa 253 të tjera ishin objekt i shqyrtimit në gjykata.

Më të shumtat sekuestrime janë për grupe kriminale, që u bllokohen automjete, prodhime të viteve të fundit, por edhe apartamente, dyqane e pasuri të tjera.

©Copyright Gazeta SHQIP

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.