Flakë dhe granata, ‘Zoti’ shpëton Shëngjinin. Zjarri i qëllimshëm, kapen 2 piromanët

Është dashur ndërhyrja e Zotit që të vihen në kontroll flakët që po përpinin malin e Shëngjinit. Reshjet e shiut të një nate më parë kanë bërë që zjarri të vihet nën kontroll në Shëngjin, por akoma nuk është shuar plotësisht. Zjarri në Shëngjin dyshohet të jetë vënë qëllimisht. Burime nga policia bëjnë me dije se janë arrestuar dy persona.

Forcat zjarrëfikëse por dhe forcat e ushtrisë po punojnë për shuarjen e vatrave të zjarrit që janë akoma aktive në një terren mjaft të vështirë dhe të rrezikshëm.

Ajo që duhet theksuar është se kanë shpërthyer deri më tani 11 granata duke rrezikuar kështu edhe punonjësit që kanë qenë duke punuar për shuarjen e flakëve.



Retë e tymit kanë mbuluar pjesën më të madhe të Shëngjinit gjë e cila ka bërë që pushuesit të nisin dhe të largohen.

Njoftimi i policise se Lezhes

Specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, në vijim të punës hetimore për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të çdo personi për zjarrvënie të qëllimshme apo edhe nga pakujdesia që shkaktojnë dëme, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit M.I. 34 vjeç, banues në Ishull Shëngjin  dhe A.U. 24 vjeç, banues në Shëngjin.

Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, rreth orës 21:45 datë 22 gusht, në Malin e Shëngjinit tek ” Lugu i Lemes”,  dyshohet që i kanë vënë zjarrin malit me qëllim hapjen e kullotave për bagëtitë dhe prerjen e lëndëve drusore për shitje, zjarr i cili ka marrë përmasa duke djegur disa hektarë bimësi e pisha si dhe rrezikuar banesa e jetë njerëzish.

Veprat penale ” Shkatërrim prone me zjarr” kryer në bashkëpunim’ parashikuar nga neni 151 – 25 i Kodit Penal.

Gjithashtu, u referuan materialet  hetimore për proçedim penalisht edhe ndaj shtetasit K.M. banues në Tresh – Lezhë, sepse dyshohet që i ka vënë zjarrin një sipërfaqe toke rreth 500 m2 ku nga zjarri është djegur edhe  rrethimi me shkurre i stanit të bagëtive të tij. Vepra penale ” Shkatërrim prone me zjarr ” parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal.

Materialet procedurale hetimore në ngarkim të shtetasve lartpërmendur, u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë Lezhë.


Comments are closed.