Dosjet e bujshme/ SPAK do hetojë Gërdecin, 21 Janarin dhe abuzimet në Rrugën e Kombit

Notat kritike të opozitës në tërësi, por edhe të presidentit në shumë raste ndaj Reformës në Drejtësi janë indicie për të vepruar sa më shpejt institucionet e reja të Drejtësisë, duke filluar nga Gjykata Kushtetuese, ajo e Lartë dhe sigurisht SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.

Me ndihmën e ndërkombëtarëve në shtator pritet ngritja përfundimtare e SPAK, emra që kanë dalë tashmë dhe janë publikuar, ndonëse një pjesë e tyre është në shkallën e dytë të vettingut.

Sipas përfaqësuesve të maxhorancës qeverisëse kjo strukturë e rëndësishme jo vetëm do të hetojë dhe do të vendosë para ligjit politikanët e korruptuar, por do të hapë edhe dosjet e bujshme, siç janë Gërdeci, 21 Janari apo abuzimet në rrugën Durrës-Kukës për të cilat akuzohet direkt kreu i opozitës, Lulzim Basha.



Petro Koçi, një prej zërave të maxhorancës e ka konfirmuar këtë në faqen e tij në facebook, ndërsa thekson se pikërisht kësaj i trembet opozita, ndaj dhe mori vendime ekstreme, siç ishin djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve të 30 qershorit.

“Besoj se SPAK do të godasë pa dallim korrupsionin e çdo ngjyre. Këtë e beson edhe PD dhe LSI. Prandaj ata nuk lanë gur pa lëvizur kundër riformimit të sistemit të drejtësisë. Ata nuk hynë në zgjedhje dhe dogjën mandatet personale parlamentare me qëllimin e fshehur që të krijohej kaos politik e institucional, zgjidhja e të cilit do të përfshinte rrëzimin e reformës në drejtësi dhe hartimin e një tjetre që të ruante ndikimin e PD-LSI mbi gjyqtarët. Çështje të tilla si “21 Janari”, shitja e hapësirës detare apo afera e Rrugës së Kombit presin dritën e drejtësisë”, deklaroi Koçi.

Edhe deputeti i PS, Andrea Marto deklaroi se ka ardhur koha që në Shqipëri të hapen dosjet e bujshme. Sipas tij, në kushtet kur shumë çështje janë groposur, i takon SPAK që të rivendosë drejtësisë e munguar. “Dosjet e bujshme duhet të rihapen nga SPAK. Çdo gjë duhet të rihapet. Kushdo që ka bërë shkelje, të dalë para drejtësisë. Nëse janë të rrezikuar, le t’ia lamë hetimit të plotë dhe të pandikuar”, deklaroi Marto. Siç duket shtatori do të jetë një muaj i nxehtë për politikën në Shqipëri dhe pritet të ketë zhvillime të shumta.


Comments are closed.