Denoncimi/ Rama nuk e anuloi projektin e Holtës, por e spostoi pak metra më tutje

Dje u prezantua me pompozitet aksioni i bashkisë së Gramshit teksa shembej diga e betonit në Kanionin e Holtës, ku ishte planifikuar ndërtimi i një hidrocentrali.

Pasi eskavatorët, nën praninë e kamerave,  rrafshuan një pjesë të digës së betonit, reagoi edhe kryeministri Edi Rama. Ai deklaroi se qeveria e mbajti fjalën dhe ‘bukuria e magjishme e kanionit të Holtës nuk mund të preket’, duke u zotuar se në atë zonë nuk do të ndërtohet asnjë HEC.

Por e vërteta duket se është ndryshe. Në redaksinë e Gazetës SHQIP ka mbërritur një denoncim me foto, ku thuhet se projekti nuk është anuluar, por spostuar.



“Projekti që do bëhej të kanioni i Holtës është spostuar poshtë tij”, thuhet në denoncim.

Në fotot e siguruara nga gazeta SHQIP, shihen tuba të mëdhenj, me të cilët mendohet se do të bëhet marrja e ujit.

“I bie që të zhduket fare rrjedha e lumit Holtë”, vazhdon më tej denoncimi.

Ndërtimi i HEC-it u kundërshtua ashpër disa muaj më parë nga banorët vendas dhe Qeveria u tërhoq nga projekti.

Qeveria vërtetë mund të mbajë premtimin për të mos ndërtuar HEC në kanion, por një kanion pa ujë, nuk u duhet as banorëve dhe as turistëve.

©Copyright Gazeta SHQIP


Comments are closed.