Mbyllje dosjesh/ Çfarë po ndodh me Prokurorinë e Tiranës, përse falen abuzuesit?!

Në vitin 2016, një fshatar i quajtur Caci Dhamo, nga Libofsha e Fierit, u dënua me 3 muaj burg nga Gjykata e Fierit, pasi ai kishte riparuar një kotec pulash. Caci kishte ndërtuar pa leje murin e këtij koteci, dhe prokuroria u tregua e shpejtë për të dënuar fshatarin që mbijetonte mes skamjes dhe varfërisë.

“Nga kqyrja e vendit të ngjarjes…në anën veriore muri ishtë në ndërtim e sipër dhe sipër tij gjendet një kovë me llaç dhe mistri,” thuhej në akuzën e ngritur nga Prokuroria asokohe.



Në fakt, shpesh kemi parë që organet e drejtësisë veprojnë në mënyrë të përshpejtuar kur bëhet fjalë për dënimin e qytetarëve të këputur, pa asnjë pushtet dhe pa para.

Nëse i hedhim një sy dosjeve të Prokurorisë së Tiranës, aty dosjet janë ngritur shkallë-shkallë, dhe një pjesë e mirë të çështjeve që prekin persona me para, zvarriten. Mjafton të marrim shembull, rastin e biznesmenit Nadir Çaushollit, i akuzuar për nga Agjencia e Barnave, për falsifikim të pullave të barit Soludamin.

Top Channel zbuloi ekskluzivisht sesi ishte falsfikuar bari Soludamin, duke u tregtuar nga 74 lekë që ishte çmimi zyrtar, në 1357 lekë me pullë false. Për këtë abuzim që rëndonte mbi pacientët, dhe që ishte shkaktuar një dëmi kolosal, reagoi menjëherë Agjencia e Kontrollit të Barnave. Pas verifikimeve në terren, ky institucion vendosi të gjobisë CFO Pharma, kompaninë e Çaushollit, me 560 milionë lekë gjobë të vjetra dhe dërgimin për ndjekje penale në Prokurorinë e Tiranës.

Sipas Kodit Penal, CFO Pharma dhe Nadir Çausholli, duhej të akuzoheshin për konsumimin e veprave penale të “manipulimit të tregut të barnave” dhe “falsifikimin e dokumentave shtetërore”, që parashikon deri në 5 vite burg.

Por çfarë ndodhi?

Prokuroria e Tiranës, e cila aktualisht drejtohet nga Elisabeta Imeraj (pasi është zgjedhur pjesë e SPAK), kishte në dorë të gjithë dosjen e kopsitur nga Agjencia e Kontrollit të Barnave, që nga provat në disa farmaci e deri tek falsifikimi i pullës.

Më parë, policia kishte marrë në pyetje edhe administratorin e CFO Farma, Nadir Çausholli, i cili mashtrimin në dëm të shumë pacientëve e shpjegoi me një gabim njerëzor në vendosjen e etiketave, por kjo alibi bie për shkak se farmacistët i treguan policisë faturat e blerjes së këtij ilaçi, fatura që tregojnë mashtrimin.

Prokurori i çështjes së Çaushollit, Kreshnik Ajazi, fillimisht priste raportin e gjetjeve nga Agjencia e Kontrollit të Barnave, për të vijuar më pas me procedurën e marrjes si të pandehur. Raporti i është dorëzuar që në datën 5 qershor, prokurorit Ajazi, dhe që prej asaj dite nuk është bërë asnjë veprim ndaj CFO Pharma dhe Administratorit të saj.

Sot që flasim, me dhjetra biznese po mbyllen për një kupon tatimor, që mund të jetë edhe një gabim njerëzor nga ndonjë kamarier. Ndërkohë kompania CFO Pharma, dhe Nadir Çausholli kanë abuzuar në kurriz të klientëve, nuk i ngulet asnjë gjemb në këmbë.

Në Prokurorinë e Tiranës, Çausholli përballet edhe me disa denoncime të tjera nga Top Channel. Por njësoj si prokurori Ajazi edhe prokurori tjetër Ervin Karanxha, i kanë lënë këto dosje të flenë nën sirtar, me shpresën se do të harrohen nga opinion publik me kalimin e kohës.

©Copyright Gazeta SHQIP


©Copyright Gazeta SHQIP



Comments are closed.