Shifrat/ Cakaj nxjerr paaftësitë e Ditmir Bushatit si Ministër i Jashtëm

Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj ka faktuar me shifra punën e dobët të paraardhësit të tij, ish-ministrit Ditmir Bushati, për shërbimet konsullore.

Sipas shifrave të publikuara nga ministri në detyrë, shihet qartë produktivitet i ulët i punës së Bushatit gjatë kohës që drejtonte diplomacinë shqiptare.

Në kontrast me periudhën kur drejtonte Bushati, gjatë  kohës në detyrë të Cakajt, rezulton se  është dyfishuar numri i shërbimeve konsullore.



Konkretisht, përgjatë periudhës 1 janar – 21 gusht 2018 në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme janë kryer  246 186 shërbime konsullore, periudhë kur kjo ministri drejtohej nga Ditmir Bushati, i cili u shkarkua në janar të këtij viti.

Kjo shifër është dyfishuar për të njëjtin hark kohor të vitit 2019, duke ofruar 442054 shërbime konsullore nga Drejtoria e Çështjeve Konsullore.

Po ashtu, shërbimi konsullor i Përfaqësive, gjatë periudhës 1 janar – 21 gusht 2018 ka kryer 51 635 ndërsa këtë viti, numri është 89 691.

“Për shkak të vëmendjes së shtuar në përmirësimin e cilësisë të shërbimeve ndaj qytetarëve, puna e MEPJ përgjatë vitit 2019 ka shënuar një shifër rekord në ofrim të shërbimeve konsullore. Kjo shifër përfshin: dhënie vizash, vërtetime në rast humbje dokumentesh, vërtetime identiteti, prokura të posaçme e deklarata noteriale, certifikata familjare e lindje, regjistrime fëmijësh, karta ID dhe pasaporta, mes të tjerash!”, shprehet Cakaj në postimin e tij.

Ministri në Detyrë shprehet se MEPJ ka ende shumë punë për të bërë për t’iu shërbyer denjësisht qytetarëve shqiptarë nëpër botë!

“Puna aktuale pasqyron vetëm mundësitë reale të Ministrisë por assesi vullnetin për të shërbyer më shumë e zhvilluar një performancë edhe më cilësore.” mbyll postimin e tij Cakaj.

Gazeta SHQIP


Comments are closed.