Kuvendi hap garën për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, ja afatet dhe kriteret

Pas shkarkimit nga vetingu i gjyqtarit Fatos Lulos, se nuk justifikoi pasurinë, Kuvendi i Shqipërisë ka rihapur garën për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Gara do të jetë e hapur deri në datën 15 shtator, ku të gjithë kandidatët duhet të dorëzojnë dokumentet pranë këtij institucioni brenda këtij afati.

Në faqen zyrtare të Kuvendit, janë bërë publike të gjitha kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët, që nga përvoja e punës jo më pak se 15 vjet në sistemin e drejtësisë apo vlerësimet në aspektin profesional si dhe integritetin etik e moral.



Kushtet

Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
Të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë;
Të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit;
Të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale;
Të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
Të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.

 Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara më sipër, duhet të plotësojë edhe këto kritere:

Të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i  së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike;
Të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës;
Të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.

Vlerësimi do të bëhet 

Vjetërsisë në profesion;
Përvojës së veçantë të kandidatit në një fushë të caktuar të së drejtës, ose këshilltar ligjor i Gjykatës Kushtetuese a Gjykatës së Lartë;
Kualifikimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në një fushë tjetër të së drejtës;
Treguesve shkencorë, ku përfshihen botimet dhe artikujt shkencorë në fushën juridike;
Ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë juridik, me një mesatare notash jo më pak se 8 ose të barasvlershme me të, nëse arsimi i lartë është përfunduar jashtë vendit ose vlerësimit përfundimtar në Shkollën e Magjistraturës;
Informacioneve të marra nga institucione të tjera publike


Comments are closed.