Ja kush e mbrojti publikisht Mihalin, që rrahu turistët spanjollë

Disa figura publike kanë marrë në mbrojtje Mihal Kokëdhimën, pronarin e një lokali në Porto Palermo  (të rrafshuar tashmë nga IKMT), që bëri xhiron e botës pas skandalit të dhunimit të një grupi turistësh miliarderë nga Spanja.

Zërat pro Mihal Kokëdhimës u shtuan pas vendimit të IKMT për të shembur hotelin që rezultonte pa leje dhe që ishte skualifikuar nga pak ditë më parë nga procesi i legalizimit.

Analistë, politikanë, por edhe intelektualë, që njihen për qëndrimet e tyre kundër kryeministrit Edi Rama, kanë pohuar publikisht se vendimi për shembjen e hotelit është marrë nga kryeministri në formë hakmarrje dhe jo konform ligjit, duke i dalë kështu në krah pronarit që terrorizoi dhe dhunoi turistët e huaj, duke i bërë anti-reklamë turizmit në Shqipëri, pasi video është shpërndarë në gjithë Evropën. Ish-deputeti i PS, Arben Malaj, ish-kryebashkiaku i Vlorës Shpëtim Gjika, analistët Fatos Lubonja dhe Armand Shkullaku si dhe akademiku, Artan Fuga i kanë dhënë një tjetër këndvështrim ngjarjes skandoloze.



Sipas ish-deputetit Malaj, kemi të bëjmë me një veprim force dhe jo ligji. Argumentin e tij, Malaj e lidh me supozimin se zyrtarë të korruptuar, sipas tij, kanë ngrënë dreka dhe darka në lokalin e Kokëdhimës dhe nuk kanë guxuar t’i kërkojnë Mihalit lejen apo faturat.

“Një veprim force dhe jo ligji. Përpara shembjes në 6 vite ka shumë zyrtarë të korruptuar që s’kanë vepruar, shumë prej tyre mund të kenë shijuar ndonjë kafe, drekë apo darkë. Shumë prej tyre nuk kanë guxuar t’i kërkojne lejen apo faturat nga frika e më të madhit . Ky parakalim mediatik force, vetëm e dëmton Shqipërinë. E prezanton ashtu siç është ne realitetet. “Ligji jemi ne thonë deputetet e maxhorancës”, “ligji jam unë” thotë Veliaj”, shkruan Malaj.

Ish-kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, i cilësoi si gangsterë gjakftohtë dy drejtuesit e makinës së turisteve, ndërsa thotë se nuk do e pushkatojë Mihalin, duke u pozicionuar krah tij.

“Mihali u shpërfytyrua,ose e detyruan të shfaqej i shpërfytyruar, ashtu i pataksur mbi makinën që drejtonin dy gangsterë çuditërisht aq gjakftohtë, për të cilët nuk e di pse jam shumë i bindur që janë ideatorët dhe aktorët e asaj që ndodhi. E denoj si fenomen rastin e djeshëm, por njerëzisht nuk e pushkatoj dot Mihalin! Ata dy gangot cinikë dhe gjakftohtë në furgon i neveris! Ai spanjoll turisti, kurrë mos ardhtë se do durojmë edhe për eurot e tij”, shkruan Gjika.

Analisti Fatos Lubonja e gjej fajin tek Edi Rama, i cili, sipas tij, është më i rrezikshëm se Mihal Kokëdhima.

“Në këtë moment çdo shqiptar, pavarësisht kush është Kokëdhima, duhet të ndihet i rrezikuar, sepse sa herë i prish qejfin qeverisë, qeveria të sjell tek biznesi o tatimorët o matrapikun. Edhe në shtëpi ta sjellin po nuk u thamë ndal. I pari që nuk është në rregull me ligjin është Edi Rama dhe qeveria. Ky është shumë herë më i rrezikshëm se Kokëdhima”, thotë ai.

Gazetari Armand Shkullaku, në një editorial për Lapsi.al shkruan se shteti është çmendur më keq se Mihali. Sipas Shkullakut, vendimi i IKMT për të shembur lokalin e Kokëdhimës është një dhunë e pastër shtetërore e orkestruar nga kryeministri Edi Rama.

“Një dhunë e tillë shtetërore, që transmetohet live që në pikë të mëngjesit, është ku e ku më shqetësuese sesa çmenduria e Mihalit mbi një makinë turistësh. Sepse kur çmendet shteti pasojat nuk janë më tek imazhi i Shqipërisë në botë, por tek jeta e gjithësecilit prej nesh që kemi të bëjmë çdo ditë me një shtet të tillë. Fadromat e shfaqura në një spektakël populist të hakmarrjes, nuk ishin gjë tjetër veçse metaforë e një fenomeni që e përjetojmë prej kohësh: shteti jam unë, ligji jam unë! Çmenduria mbi makinë, bashkë me mbiemrin, i kushtoi shtrenjtë Mihalit, kurse çmenduria e shtetit sa herë hipën mbi fadroma na kushton shumë më shtrenjtë të gjithëve”, shkruan ai.

Akademiku Artan Fuga është ndër të parët që reagoi publikisht për ngjarjen. Përmes një statusi në facebook, profesori kërkoi të mos linçohet biznesmeni shqiptar, por të ruhet paanësia ne gjykim mes tij dhe turistëve të huaj. Fuga, i cili dënon veprimet e Kokëdhimës, thotë se në flagrancë dhune është biznesmeni mbi veturë si mbi tanks, por edhe personat brenda veturës dhe përfshirë edhe turistët.

“Në flagrancë dhune është biznesmeni mbi veturë si mbi tanks, por edhe personat brenda veturës dhe përfshirë edhe turistët. Sjellja e tyre është çnjerëzore sepse jo vetëm rrezikojnë jetën e personit, por edhe filmojnë skenën me cinizëm, në vend të ndalonin dhe të sqaroheshin duke njoftuar policinë”, shkruan ai.

Pavarësisht se autoritetet e Kadastrës Shtetërore konfirmuan se ndërtimi ishte skualifikuar pak ditë më parë nga procesi i legalizimit, qytetarët me të drejtë kanë dyshime. Prishja e objektit pas incidentit me turistët ka ngjallur pikëpyetje për mosveprimin më parë të autoriteteve shtetërore ndaj këtij ndërtimi të paligjshëm.

©Copyright Gazeta SHQIP


Comments are closed.