Bomba e avokatit: Meta është në hall, kërkon gjak që t’i shpëtojë burgut

Nga Spartak Ngjela

Meta është në hall. Por nuk ka intelekt për t’i shpëtuar drejtësisë.

Naiviteti për t’i shpëtuar Reformës në Drejtësi, e çoi Metën të nxirrte dy dekrete fantazmë të paligjshëm, sepse mendoi që, me to, mund të sillte destabilizimin e shoqërisë shqiptare me anë të “elokuencës Basha”. Por ajo elokuencë, sallatë fjalësh, e degdisi Metën drejt akuzës penale dhe shkarkimit. Kurse tani, ai po vërtitet e vjen vërdallë në Kosovë e nëpër Shqipëri…

Në fillim të shtatorit vjen në Tiranë delegacioni i Venecias, i thirrur për krimin e Metës nga Komisioni Parlamentar i Hetimit të Ilir Metës.

Delegacioni ka kërkuar dokumentacion se çfarë ka sjellë realisht në shoqërinë shqiptare dekreti Meta.

“Ka sjellë përplasje shoqërore”, thonë dokumentat që i paraqiti komisionit hetimor Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.

Kurse Meta nuk kupton dot asgjë.

Dhe po i drejtohet Bashës, domethënë Saliut, që ata të vijojnë protestat e dhunshme në shtator.
Indirekt Meta iu thotë: “unë dekretet për ju i bëra “, dhe indirekt iu shpreh hidhur faktin që ai po shkon drejt burgut për ata.

“Po, a kam ndonjë rrugë shpëtimi?” – pyet Meta.

Dhe mendja i shkon drejt e te Saliu. Kur i thotë “dua përplasje shoqërore me gjak, që të shpëtoj nga burgu”.

Po Saliu? Eh, mor Metë, nuk e di ti që Saliu është i kërcënuar ndërkombëtarisht!

Por Meta vazhdon rrugën e tij të shëtitjeve të egra. Dhe ka shpresë në shtator për një përplasje të përgjakshme në Tiranë e kudo

Po Basha, a do ta këndojë sërish Himnin Kombëtar? Të vështirë e ka. Kurse Meta e pret. Por, a e di Meta që edhe Basha është i kërcënuar ndërkombëtarisht?

Jemi përpara komedisë Meta tani, sepse Meta po kërkon gjak nëpër rrugë, kurse Ambasada Amerikane sot shpjegonte goditjen penale të rangut Meta me skemën e SPAK-ut.
“Do këtë gjak në shtator”, tha Meta dje.
“SPAK- u jemi ne”, thanë sot amerikanët, flakë për flakë, me anë të ambasadës së tyre në Tiranë.

Kjo tregon se lufta antikorrupsion ka filluar. Po goditja penale e Metës kur vjen?
Është e afërt kjo goditje, sepse, menjëherë pas goditjes që duhet t’i vijë Metës në shtator, hapen negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian në muajin tetor të këtij viti. Domethënë, Meta është kushti i çeljes së negociatave me Bashkimin Europian? Po, kjo po kuptohet qartë: Meta tani është kushti: penalizimi i Metës hap negociatat.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.