Marrëveshje me Kosovën, Vuçiç do takohet në Nju Jork me Sekretarin Amerikan Pompeo

Presidenti i serbisë, Aleksandër Vuçiç do të takohet me sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompeo, të martën, në prag të një takimi të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork.

Lajmi konfirmohet nga vetë Departamenti Amerikan i Shtetit në një deklaratë për shtyp. Sipas mediave serbe, temë kryesore e bisedimeve midis Vuçiçit dhe Pompeos, do të jetë situata në Kosovë.

Pompeo do të marrë pjesë në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Lindjen e Mesme dhe është planifikuar të takohet edhe me sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteres.



Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për arritjen sa më parë të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo, bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian janë ndërprerë që nga nëntori i vitit të kaluar, për shkak të taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe të cilën e ka vendosur Qeveria e Kosovës. Masa, sipas zyrtarëve në Prishtinë, është ndërmarrë për shkak të fushatës kundër shtetësisë së Kosovës, që e kanë zhvilluar zyrtarët serbë.


Comments are closed.