Trupi i mbështjellë me natriban, a mund të jetë një nga 80 të zhdukurit në Vlorë?!

Mesditën e kësaj të diele, disa peshkatarë që kishin dalë me peshkarexhën e tyre për peshkim që prej orëve të para të mëngjesit janë shokuar, kur në rrjetën e peshkimit në vend të ndonjë peshku “ngeci” trupi i një njeriu të mbështjellë me natriban.

Policia e mbërritur atje kreu të gjitha verifikimet dhe arriti në përfundimin se kufoma ishte e një mashkulli, tërësisht e dekompozuar dhe pa shenja të dukshme, në pamundësi për t’u vënë re për shkak të kalbëzimit thuajse të plotë të trupit.

Kjo është një prej atyre ngjarjeje që të rikthen në kujtesë atë se çfarë publikoi “Top Story” një vit më parë. Sipas investigimit të gazetarëve të Top Story” në harkun kohor të tre viteve të fundit, përkatësisht nga viti 2015 deri në 2018 nga Vlora janë zhdukur 80 persona, për të cilët nuk ka asnjë gjurmë.

Madje, as policia nuk ka të dhëna për ta, ndonëse familjarët jo pak herë janë drejtuar për ndihmë, me qëllim gjetjen e të zhdukurve pa gjurmë. Në fakt, Policia e kontaktuar nga Gazeta SHQIP për këtë rast, por edhe për të zhdukurit e tjerë pranon se ka një listë të plotë të të zhdukurve.

Pranon gjithashtu se ka nisur kërkesa në të gjitha policitë e vendeve me të cilat ka marrëveshje bashkëpunimi, por nuk ka marrë informacione pozitive, çka do të thotë se nuk ka asnjë gjurmë të personave që rezultojnë të zhdukur.

Ndërkaq, burime të Policsë sqarojnë edhe faktin se në disa raste mund të ketë ndryshime të identitetit, por edhe në këtë rast mund të realizohej identifikimi përmes gjurmëve të gishtave, gjë që nuk ka ndodhur.

Shkresa e fundit për Policinë ka ardhur nga Holanda, vend në të cilin Policia kërkonte dy personat e zhdukur konkretisht Mario Metushi dhe Adrian Jaho. Policia tha se autoritetet holandeze kanë kryer të gjitha veprimet e duhura dhe në përfundim konfirmuan zyrtarisht për palën shqiptare se asnjë prej të lartpërmendurve nuk rezulton të ketë hyrë në territorin holandez, me këtë emër, apo identitet të ri.

Për Policinë dhe autoritetet e tjera të hetimit të 80 personat e zhdukur janë me precedentë penalë, ose të implikuar indirekt në ngjarje kriminale. Në rastin e Mario Metushit, vetë babai i tij në kallëzimet në Polici ka pohuar shpesh se ka pasur telefonata dhe se të birit i kërkonin 150 mijë euro, duke pranuar edhe faktin se djali i tij ishte skafist.

Por, a mund të jetë kufoma e gjetur këtë mesditë në Durrës, një prej të 80 të zhdukurve në Vlorë, kur dihet që në këtë qark ka pasur mjaft krime e që janë ende të pazbardhura, shumë prej të cilave për motive të trafikut të drogës, apo larjes së hesapeve?!

Burime policore i thanë Gazetës SHQIP se mund të jetë një prej zhdukurve në Vlorë, por pa u kryer të gjitha verifikimet është e pamundur të jepet një përgjigje e saktë, ndërsa konfirmuan se nga Durrësi të paktën në harkun e vitit të fundit nuk ka pasur denoncime për zhdukje të ndonjë personi, apo mbytjes së ndonjë familjari dhe mosgjetjes së trupit.

Pikërisht këto dyshime edhe vetë Policinë e kanë shtyrë të intensifikojë hetimet për këtë rast. Nëse do rezultonte i saktë dyshimi i Policisë, atëherë ky trup të paktën do të qetësojë një familje në Vlorë që prej vitesh është në kërkim të të afërmit të tyre.

Që të gjithë të zhdukurit në Vlorë janë pasojë e luftës mes bandave rivale, kryesisht të trafikut të drogës dhe hedhja e trupave në det është fshehja më e mirë e gjurmëve të krimit nga autorët.

©Copyright Gazeta SHQIP


Comments are closed.