Ekzekutimi në Rrëshen/ Jo vetëm për drogë, por edhe për borxhe; sekuestrohen kamerat e sigurisë 

Vrasja e Armando Gjinit katër ditë më parë në Rrëshen, vazhdon ende të jetë pa autor, por grupi hetimor që po punon për zbardhjen e ngjarjes ka zbuluar detaje të reja, të cilat mund të çojnë në arrestimin e autorëve.

Nga sekuestrimi i pamjeve të kamerave të sigurisë të objekteve rreth vendit të vrasjes, dallohen dy persona të maskuar, njëri në timon dhe tjetri që ka qëlluar. Mirëpo, për shkak të pozicionit të filmimit, është shumë i vështirë identifikimi i tyre. Kjo, pasi gjatë kohës që ata kryejnë ekzekutimin e 48-vjeçarit janë me kurriz nga kamera e sigurisë. 

Megjithatë, sipas burimeve janë duke analizuar me detaje për të siguruar pamje të qarta për vrasësit, të cilët dyshohet se janë paguar. Hetuesit kanë vendosur si pistë kryesore të shkuarën e viktimës, por problemet e shumta të Gjinit me borxhet apo dhe me një gjakmarrje të vjetër i komplikojnë hetimet.

Babai i dy fëmijëve u qëllua me breshëri plumbash në qendër të Rrëshenit sapo kishte ndaluar makinën nga ku kishin zbritur fëmijët dhe gruaja e tij. Atentatorët e dogjën mjetin që përdorën për t’u larguar nga vendi i ngjarjes në dalje të qytetit dhe janë larguar me një tjetër makinë.

 Më 6 maj të këtij viti, eliminimi i Armando Gjinit u tentua me lëndë plasëse. Poshtë makinës së tij ishte vendosur një sasi eksplozivi, por që shpërtheu vetëm pas ndërhyrjes së forcave xheniere të Policisë së Shtetit. 48- vjeçari e kishte parkuar makinën poshtë pallatit ku banonte në Rrëshen, ndërsa të nesërmen, pasi kishte dërguar dy fëmijët në shkollë, vërejti një pako të dyshimtë poshtë sediljes. Pas njoftimit të Policisë, u desh ndërhyrja e forcave xheniere që të kryenin shpërthim të kontrolluar për eksplozivin e vendosur brenda makinës.

 Ndërsa më 12 maj të vitit të kaluar, Armando Gjini u arrestua nga Policia e Shtetit, bashkë me 17 persona të tjerë. 48- vjeçari u paraqit me shumë bujë nga Policia dhe Prokuroria si një nga pjesëtarët e grupit kriminal të baronit të drogës, i arrestuar në Turqi. Gjatë rivlerësimit të masës së sigurisë, Gjini u la në hetim në gjendje të lirë nga Gjykata për Krimet e Rënda në Tiranë.

Për këtë arsye, ai qëndroi në masën e sigurisë “Arrest me burg” vetëm për katër ditë, ndërsa pas kësaj u vendos hetim në gjendje të lirë. Arrestimi i 48-vjeçarit nga Rrësheni dhe i personave të tjerë u bë, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë dyshonte se ishte pjesë e grupit të Met Kananit, që merrej me trafikim droge. Personat kryesorë të grupit të drejtuar nga Kanani u arrestuan në Turqi, por të ndaluar pati dhe në shumë vende të tjera, si në Greqi, Itali dhe Maqedoni.


Comments are closed.