“2300 faqe me denoncime për në vetting”, qytetari shpreson të ndëshkohen të korruptuarit (EMRI)

Ditët e fundit në Tiranë ka bërë përshtypje një zotëri që mban një pankartë në dore. Me anë të saj bën thirrje për çdo qytetar që ka dosje të falsifikuara nga prokurorë e gjyqtarë.

“Kam 2 ditë në Sheshin Skënderbej, por mbi 3 vite që dal në gjithë Shqipërinë, që të denoncoj krimin e korrupsionin në institucionet shtetërore. Prokuroria dhe gjykatat janë false, i jam drejtuar edhe kryeministrit, kam prova e fakte, kam 5 thasë me dokumente të falsifikuara nga prokuroria e gjykata”, deklaroi Sokol Sulisufaj.

Sokol Sulisufaj jeton prej 3 vitesh në Tiranë. Ai thotë se prokuroria e gjykata i kanë grabitur pronën e blerë në kryeqytetet me lekët e djersës së tij teksa punoi si emigrant. Në anën tjetër të tabelës shkruhet “Kërkoj të punësoj student që sapo ka mbaruar shkollën.”



”Është çështje penale, për grabitje prone me dokumente të falsifikuara. Prona është në Tiranë. I jam drejtuar që në daten 26  Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, më kanë sjellë formular të falsifikuar të aplikimit. I kanë hedhur dokumentet e mia prej 2300 faqesh në koshin e mbeturinave. Nuk kam asnjë konflikt unë, konfliktin ma bëjnë prokuroria dhe gjykata që nuk zbatojnë ligjin. Mua prokuroria po më çon në vëllavrasje” – tha Sulisufaj.

Por, teksa ky person fliste, të tjerë rrinin aty e vështronin. Një tjetër person nga Librazhdi kishte thuajse të njëjtin shqetësim. “Kam mbi 97 vendime gjyqësore, kam denoncuar mbi 134 gjyqtarë e prokurorë” – thotë Agim Elezi.

Rreth e rrotull qytetarit denoncues u mblodhën edhe disa qytetarë, të cilët bashkoheshin me thirrjen e tij për t’u bërë bashkë kundër korrupsionit që ka mbërthyer gjyqësorin në Shqipëri. Madje, njëzëri ata thonë se korrupsion ka që në Kryeprokurori e deri tek institucionet më të thjeshta. Populli e ka ngritur zërin, por nuk është bëre asgjë”, tha dikush, që e ndjen se Drejtësia ka çaluar jo pak vite dhe tashmë ndoshta është koha të ndryshojë njëherë e përgjithmonë.


Comments are closed.