Letra sekrete e Ahmet Zogut për Musolinin

Raportet me Italisë dhe Shqipërisë në kohën e Ahmet Zogut kanë qenë shpesh të tensionuara. Aleksandër Lessona, një figurë e njohur e politikës italiane në kohën kur Zogu  ishte President i Republikës, ka shkruar në kujtimet e tij pasazhe që hedhin dritë mbi këtë marrëdhënie. Më poshtë po japim disa pjesë nga këto kujtime.

Takim me Musolinin



Në gusht të vitit 1924  Xhilberto Punji  më foli për një princ shqiptar, Ahmet Zogun, që kishte dërguar sekretarin e tij në Itali, se mos ndihmohej nga  Musolini, për një lëvizje të armatosur, që të ndërmerrte në shtatorin që vinte, me anë të së cilës do të rivendosej në krye të Shqipërisë. Isha deputet atëherë dhe ndërmjetësi, Jak Koçi, kërkonte të merrja takim me Duçen, për këtë kërkesë.

-A e njeh vetë Zogun?,- më pyeti.

-Jo ,- iu përgjigja, – por më kujtohet se, kur ishte ministër i Brendshëm, qé ndër më të vendosurit për një veprim gjer në fund kundër italianëve, kur ishim të shtrënguar të lëshonim Vlorën.

-Që Italia ta ndihmojë të rivendosë pushtetin në Shqipëri, duke e subvencionuar me 2 milionë lireta. I duhen për të blerë armë për ushtrinë e vogël kryengritëse, nja dymijë veta. Zogu, nga ana e tij, merr përsipër, sapo të vërë në dorë pushtetin, që ta mbështesë Italinë me politikën e tij të jashtme e që vendi ynë të mundet, në këtë mënyrë, të sigurojë zotërimin e qetë dhe përfundimtar të Detit Adriatik. Ai që na dëboi nga Vlora e di për bukuri vlerën e paçmueshme që ka për ne mbështetja e sigurt për të bllokuar ngushticën e Otrantos. Sekretari i Zogut më është lutur që t’ju bëj të ditur se ndihma ka ndërmend t’i japë Zogut edhe Qeveria jugosllave. Dhe Anglia e sheh me sy të mirë orvatjen e Zogut për qëllimin e tij; por ky e  ka të qartë se Shqipëria mund të zhvillohet vetëm duke u mbështetur ngushtësisht tek Italia. Anglisë nuk ia ka besën: “ajo është mësuar prej shekujsh që të marrë, pa dhënë asgjë”,- ka thënë Koçi,- “dhe ajo nuk mund të ndryshojë, natyrisht, për ndonjë farë simpatie të veçantë ndaj Zogut”. Sa për Jugosllavinë, ky nuk dëshiron të ketë asnjë detyrim mirënjohjeje ndaj saj, duke qenë i vendosur që të mbajë gjallë çështjen e shqiptarëve të Kosovës. Italia dhe Shqipëria, sipas mendimit të Zogut, të dyja së bashku, kanë përse t’u ruhen Jugosllavisë dhe Anglisë; ja përse interesi ynë është i përbashkët.

Musolini mbeti i befasuar nga ky propozim. Nuk kishte dëgjuar ndonjëherë të flitej për Zogun dhe, ndonëse tregoi interesim për çka po i thosha, mbeti në mëdyshje, disi mosbesues. Kishte të drejtë. Veçse, meqë shifra e kërkuar dukej tepër e ulët dhe, duke marrë parasysh përfundimet që mund të arrinim, ngulmova që kërkesa të mos  shpërfillej. Nëse Zogu do të ndihmohej nga Jugosllavia, çështja e Adriatikut do të rëndohej për ne. Vërejta , gjithashtu, se politika e jashtme ka edhe anën e saj të provave të rrezikshme.

Musolini mbeti disa minuta ngurrues, pastaj m’u përgjigj:

-I thoni Zogut se jam i vendosur të marr në shqyrtim kërkesat e tij, me kusht që ai të m’i paraqesë këto kërkesa në një letër ngushtësisht vetjake; për fshehtësinë e letrës jap sigurimet më të plota se do të jetë varr i mbyllur.

I vura në dukje bashkëbiseduesit tim se do të ishte e pamundur të lëshohej një dokument kaq shpërthyes për këtë çështje.

-Zogu, si të gjithë lindorët, është tepër mosbesues. Ai luan një letër që rrezikon jetën e vet. Janë të mundshme bisedime me jugosllavët, të cilët i kanë pas dhënë njëfarë ndihme. Do të ishte vërtet i leshtë nëse lëshonte një shkrim të tillë, aq komprometues për të (duke u dhënë jugosllavëve një armë në dorë,-p.). Ai mund të mendojë se kjo mund të përdorej në dobinë tonë pranë Jugosllavisë, për ta gozhduar.

Mbërrita në Shqipëri andej nga mesi i shkurtit. Përshtypja që pata për këtë vend ishte mjeruese. Disa shtëpiza në Durrës; një rrugë thuajse e papërdorshme për të vajtur në Tiranë. Por edhe vetë Tirana, kryeqyteti i Republikës, të jepte një pamje që të bënte përshtypje për varfërinë, për primitivitetin. Ndriçimi publik ishte i paqenë. Ashtu edhe elektriciteti, apo gazi. Rrugët me zhavorr, ishin po ato që u meremetuan mbi gjurmët e lashta romake dhe në kushtet e përçueshmërisë mjaft të mundimshme. Pjesa me gropa dhe shkëputjet rrugore ishin më të shpeshta se ato që mund të quheshin të mundshme për të ecur pa ndalesa; nuk kishte ura dhe detyroheshim të kalonim në vah përrenj e lumenj. Ujët e pijshëm mezi merrej, me pagesë, nëpër qytete nga shitës bredhës, që e përçonin duke e mbartur me kafshë. Me një fjalë: një vend parak i çorganizuar sa s’ka ku të vejë. Kam parë me sytë e mi të theren kafshët nëpër rrugët e Tiranës. Hoteli i kryeqytetit ishte kaq tmerrësisht i pisët, sa nuk mundja dot të merrja guximin të zhvishesha dhe rashë me rroba mbi shtrat, duke e mposhtur neverinë që m’u shpif nga cikja e rrobave të mia me  mbulesën e krevatit./Copyright Gazeta SHQIP

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.