Skenarët/ Shkodra beteja e radhës Rama-Meta-Basha, ja çfarë ndodh nëse shkarkohet Valdrin Pjetri

Shkodra pritet të kthehet në shesh-betejën e radhës mes kryeministrit Edi Rama, presidentit Ilir Meta dhe kryetarit të PD, Lulzim Basha. Pas publikimit të disa dokumenteve nga PD, ku kanë dalë fakte mbi dënimin për drogë dhe dëbimin nga Italia të Valdrin Pjetrit, kryebashkiakut të zgjedhur të Shkodrës, por që nuk është betuar ende, pritet të krijohet një përplasje e re. Pjetri nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit dënimin në Itali dhe nëse akuzat e hedhura nga opozita dalin të vërteta, ai nuk do të jetë kryebashkiaku i Shkodrës. Sipas Zërit të Amerikës, dokumentet e publikuara nga PD janë origjinale, çka shton gjasa që Pjetri të mos ulet në karrigen e Voltana Ademit.

Topi për momentin është në fushën e prokurorisë dhe nëse ky institucion vërteton që Pjetri ka qenë i dënuar, atëherë ai do të shkarkohet, çka pritet të sjellë sërish përplasje Rama-Meta-Basha.



Sipas konstitucionalistevë, nëse Valdrin Pjetri shkarkohet, do të kemi zgjedhje të reja, por situata është mjaft komplekse.

Nëse prokuroria vërteton fajësinë e Valdrin Pjetrit para se ai të betohet, do të jetë Voltana Ademi ajo që do të vazhdoj të qëndrojë në krye të bashkisë deri sa të caktohet një datë e re nga KQZ. Por nëse vendimi i prokurorisë del pas betimit të tij, thonë ekspertët, atëherë Këshilli i Ministrave do të shpall të pavlefshëm mandatin e Pjetrit dhe i takon presidentit të caktojë një datë të re për vakancën që mund të krijohet në Shkodër. Deri sa të zgjidhet kryetari i ri, sipas Kumes i takon nënkryetarit të marrë drejtimin e bashkisë.

Paradoksi i Metës

Situata është krejtësisht paradoksale për kreun e shtetit. Duke qenë se Meta nuk e njeh 30 qershorin, si mund të kërkojë zgjedhje të reja për Shkodrën? A do kërkojë ai zgjedhje, pas zgjedhjeve që nuk i njohu?

Skenari i mundshëm është që presidenti të kërkojë që Shkodra të votojë më 13 tetor, datë e dekretuar prej tij, por që nuk njihet as nga maxhoranca, por as nga PD, e cila nuk u regjistrua në këto zgjedhje, ndryshe nga aleatët LSI-PR, që kanë dërguar kërkesë në KQZ. Më 15 gusht pritet të bëhet konstituimi i Këshillit Bashkiak Shkodër. Siç duket, zgjidhja e krizës mund të vijë nga Shkodra, ose presidenti do ta thellojë më tej atë.

©Copyright Gazeta SHQIP


Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.