Prokuroria e Përgjithshme kërkon shenjat e gishtave të Valdrin Pjetrit

Nëse Valdrin Pjetri ka qenë apo jo i dënuar në Itali, kjo zyrtarisht pritet të bëhet e ditur, pasi të mbërrijnë në Shqipëri të gjitha të dhënat e strukturave ligjzbatuese europiane dhe jo vetëm ato italiane.

Pavarësisht nga kjo, Sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme i është drejtuar Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Institutit të Policisë Shkencore për të marrë shenjat e gishtave të Valdrin Pjetrit.



Edhe pse në pritje të përgjigjes së letërporosisë së dërguar Interpolit dhe Europolit, ballafaqimi i shenjave të gishtave është mënyra më e shpejtë për të zbardhur të vërtetën e të shkuarës së Valdrin Pjetrit në Itali.  Burime nga grupi hetimor në sektorin e dekriminalizimit thanë se administrimi i gjurmëve të gishtave është veprimi i radhës që do të kryhet brenda pak ditëve, me qëllim zbardhjen e ngjarjes.

Prokuroria e cila i ka nisur hetimet në ditët e para të gushtit pas denoncimit të PD, mësohet se fillimisht u është drejtuar ministrisë së Drejtësisë, drejtorisë së burgjeve dhe gjykatave shqiptare duke i pyetur nëse Valdrin Pjetri kishte precedentë penalë.

Tashmë këto institucione i kanë kthyer përgjigje organit të akuzës duke theksuar se në Republikën e Shqipërisë Valdrin Pjetri nuk ka precedentë penalë. Ndërkohë prokuroria e përgjithshme i është drejtuar Europolit me kërkesën për të verifikuar bazën e të dhënave për të kryebashkiakun e Shkodrës të dalë nga votimet e 30 qershorit.

Një burim i prokurorisë, tha se referuar kallëzimit të PD, është kërkuar informacion nga Interpoli dhe Europoli nëse ndaj Valdrin Pjetrit është kryer ndalimi, arrestimi apo dëbimi në shtetin Italian në vitet 2001-2002. Kjo kërkesë për informacion është dërguar me letërporosi në adresë të palës italiane ndërsa grupi i hetimit është në pritje të përgjigjes për këtë çështje.

Derisa autoritetet italiane të sjellin letërporosinë në Tiranë, duket se vetmja mënyrë më e shpejtë për të arritur një përfundim në lidhje me këtë çështje është marrja e gjurmëve të Valdrin Pjetrit.

Shenjat e gishtave mund ti dërgohen Interpol Romës nga Interpol Tirana me kërkesën për verifikim në bazën e të dhënave të policisë italiane. Marrja e shenjave të gishtave është një praktikë e zbatuar nga prokuroria edhe vitet e kaluara për deputetët e dënuar në të shkuarën në brenda dhe jashtë vendit.

©Copyright Gazeta SHQIP


Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.